E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta, PE, thirrje opozitës që të hyjë në Kuvend



Parlamenti Evropian i bën thirrje opozitës shqiptare t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe i kërkon asaj të kryejë detyrën e saj kryesore që është përfaqësimi i votuesve të saj në legjislativ. Nëpërmjet një rezolute të miratuar në seancën e djeshme plenare, thirrja e sanksionuar në amendamentin 15 a të kësaj rezolute shpreh qartë qëndrimin e legjislativit evropian për vendimin e Partisë Socialiste për të lënë jashtë dyerve të Kuvendit deputetët e saj të zgjedhur më 28 qershor.

Ndër të tjera amendamenti 15 a i rezolutës Strategjia e Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Islandës dhe Turqisë thotë shprehimisht se Strasburgu është i kënaqur me përbërjen e koalicionit të ri qeverisës në Shqipëri dhe me raportin e fundit të OSBE-së për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët e Parlamentit Evropian vlerësuan gjithashtu ecurinë e Shqipërisë, që pas raport-progresit të fundit, në veçanti në fushën e dokumenteve të identitetit. Ata përgëzuan gjithashtu Shqipërinë për përmbushjen e kritereve kryesore të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër autoritetet shqiptare ftohen të përshpejtojnë implementimin e reformave, në mënyrë që të përfitojnë sa më shpejt nga regjimi i liberalizimit të vizave. Eurodeputetët ritheksuan qëndrimin e tyre si avokatë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke u kërkuar këtyre dy vendeve të nxitojnë në plotësimin e kushteve të mbetura në mënyrë që ky regjim të hyjë në fuqi që nga korriku i vitit 2010. Në këtë seancë plenare eurodeputetët i kërkuan gjithashtu Serbisë që të sillet në mënyrë konstruktive me shtetin e saj fqinj Kosovës dhe i rekomanduan Komisionit Evropian që të nisë sa më parë dialogun për liberalizimin e vizave me Prishtinën zyrtare. Rezoluta e Parlamentit Evropian është një tjetër hap i rëndësishëm për liberalizimin e vizave pas miratimit të propozimit të eurodeputetes Tanja Fajon për të futur në listën e bardhë të Shengenit me procedura të përshpejtuara Shqipërinë dhe Bosnjen, sapo të përmbushin kushtet. Në këtë mënyrë Parlamenti Evropian miratoi dje me shumicë të theksuar votash rezolutën e Komisionit të Jashtëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Kështu, me 551 pro, 17 kundër dhe 57 abstenime, Parlamenti Evropian miratoi këtë rezolutë për Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor, Islanda dhe Turqia. Në Parlament, komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, tha se javën që vjen, Bashkimi Evropian do të ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, kur dhe fillon një epokë e re në politikën e jashtme evropiane: edhe pse jo drejtpërdrejt kjo forcon konsensusin e BE-së rreth zgjerimit. “Zgjerimi ka qenë një promotor kyç i këtij procesi që vazhdon ende të transformojë Evropën Juglindore. Aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim në BE theksojnë vazhdimësinë e fuqisë tërheqëse të BE-së. Kroacia po i afrohet vijës së finishit pas katër vjetësh bisedimesh intensive. Bosnja-Hercegovina dhe Serbia dëshirojnë të aplikojnë”, - deklaroi z. Rehn.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›