E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri detar, Meta: Ankimimi i PS-së në Kushtetuese, i nxituar



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e cilëson të nxituar vendimin e PS-së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufijve detarë. Ai tha se nuk ka asnjë nxitim të Parlamentit për të ratifikuar marrëveshjen dhe se çdokush që ka ngritur shqetësime apo pretendime, mund t’i verifikojë ato, duke ndjekur rrugën institucionale. Meta bëri të ditur se dyert e Ministrisë së Jashtme janë të hapura për këdo që ka interes të informohet. “Unë e mirëpres z. Rama në çdo moment, dhe në Ministrinë e Jashtme, dhe ai mund të takohet edhe me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje”, - theksoi z.Meta.

Qeveria është e hapur ndaj opozitës për të bërë transparencën e plotë të marrëveshjes me Greqinë për ndarjen e ujërave detare. Zëvendësministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e cilëson të nxituar vendimin e Partisë Socialiste për të çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufijve detarë. Ai tha se nuk ka asnjë nxitim të Parlamentit për të ratifikuar marrëveshjen dhe se çdokush që ka ngritur shqetësime apo pretendime, mund t’i verifikojë ato, duke ndjekur rrugën institucionale. Meta bëri të ditur se dyert e Ministrisë së Jashtme janë të hapura për këdo që ka interes të informohet. "Përpjekja për të instrumentalizuar këtë debat është tërësisht e sforcuar, pasi nuk ka asnjë nxitim për të bërë ratifikimin, aq më tepër që ai do të ndodhë në Parlament dhe aq më shumë që ne e kemi premtuar se gjithçka do të bëhet në mënyrën më transparente. Pra, ky nxitim është i pakuptueshëm. Ne kemi qenë dhe jemi të hapur. Unë e mirëpres z. Rama në çdo moment, dhe në Ministrinë e Jashtme, dhe ai mund të takohet edhe me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje. Jam i bindur që z. Imami të njëjtën gjë do ta bënte me shumë kënaqësi në Ministrinë e Mbrojtjes, megjithatë është e drejtë e tij për të marrë nisma të tilla", - deklaroi z. Meta. Sipas qeverisë, procedura e ndjekur për realizimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri nis me takimin e parë në Athinë me datën 7 prill 2008, ku është diskutuar në parim për përmbajtjen e marrëveshjes dhe baza ligjore: - unclos montego bay 1982, ligji i detit. Pala jonë në këtë takim është prezantuar me hartat shqiptare ku ishte hedhur vija bazë ndërkohë që grekët paraqitën direkt vijën ndarëse. Mbrojtja bën të ditur se nuk është rëndë dakord fillimisht dhe është vazhduar me korrespondencat midis dy ministrive të jashtme.

Është bërë një tjetër takim në Tiranë ku është rënë dakord për sistemin wgs dhe koordinatat. Kurse gjatë takimit të tretë është miratuar teksti i plotë i marrëveshjes e cila është nënshkruar me datën 27 mars 2009. Në çështjen e 8-të, qeveria bën të qartë se Shqipëria dhe Greqia si dy vende fqinje bregdetare nuk kanë përcaktuar më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre. Protokolli i Firences i 26 korrikut 1926 përcakton vetëm kufirin tokësor. Negocimi dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Greqinë është baza e vetme juridike që mundëson përcaktimin e vijës ndarëse apo me termin e përgjithshëm përcaktimin e kufirit detar ndërmjet dy vendeve. Ende nuk ka një datë për kalimin në Parlament të marrëveshjes, por tashmë ajo ka marrë miratimin në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Partia Socialiste dhe disa parti të tjera të vogla nënshkruan një marrëveshje për të ankimuar javën e ardhshme në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen detare mes Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar projektligjin për marrëveshjen detare me Greqinë që përcakton koordinatat e reja ujore mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe një kufi ndarës në masë të barabartë mes dy shteteve, 150 pika ndarëse në të gjithë sipërfaqen ujore. Sipas projektligjit, kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të përcaktohet në përputhje me parimet e baraslargësisë. Ky projektligj pritet të shqyrtohet në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›