Prifti nga Vlora: Në këta 4 vjet, asnjë ndërprerje energjie
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, inspektoi dje dy nga veprat industriale më të mëdha në vend, Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC-in, të ndërtuara në bregdetin e qytetit të Vlorës, prej nga edhe garantoi furnizim të pandërprerë me energji. "Gjatë katërvjeçarit të ardhshëm vendi ynë nuk do të ketë asnjë mungesë apo kufizim energjie. Janë marrë të gjitha masat që furnizimi me energji të jetë normal dhe i plotë për mbarë vendin", - deklaroi Prifti.
Në fjalën e tij për mediat, ministri Prifti theksoi rëndësinë e kësaj vepre energjitike: "Kjo është vepra e parë prodhuese pas 30 vjetësh dhe unë përgëzoj drejtuesit e KESH-it, firmën që ka zbatuar projektin. Ky TEC ka një kapacitet prej 100 megavat dhe siguron me energji gati 7% të nevojave të mbarë vendit, shifër kjo e konsiderueshme. Tanimë janë pak gjëra që duhen mbyllur", - tha ai. Sipas Priftit, kërkohet rreth një muaj kohë që kjo vepër të jetë tërësisht në punë, pra të prodhojë dhe të hedhë në treg energji. Sipas Priftit, TEC-i pritet të fillojë punë në muajin nëntor, muaj që do të shënojë dhe fillimin normal të punës së këtij TEC-i, periudhë kjo kur rritet edhe nevoja për energji e vendit.
Ndërkohë, Prifti ka vizituar edhe Petroliferën ku ka shprehur vlerësimin e tij ndaj këtij investimi, si vlerë jo vetëm ekonomike, por edhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. “Të dyja këto vepra garantojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe social të vendit, duke krijuar një mjedis miqësor për llogari të biznesit, për banorët përreth, si dhe për shtetin shqiptar, duke garantuar dhe lehtësuar detyrimet fiskale të klientëve, duke ulur koston administrative për shtetin”, - tha ai.
Gjithashtu, Prifti konsideroi terminalin e Petroliferas si një nga më modernët në pellgun e Mesdheut, gjë që do të mundësojë tërheqjen e kompanive më të njohura në Evropë në fushën e tregtimit të karburanteve. TEC-i i Vlorës është një investim mbi 130 milionë euro, i financuar nga Banka Botërore dhe BERZH, i cili sipas ministrit Prifti do të ndikojë direkt edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit në vend. Gjatë takimeve ministri u ofroi përfaqësuesve të Petroliferas dhe TEC-it mbështetjen e tij, për problemet apo pengesat që mund të hasen gjatë menaxhimit të këtyre projekteve, duke u lehtësuar atyre burokraci të panevojshme.