E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri i borxhit, Obama apelon për kompromis

Në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, të hënën në mbrëmje, Obama tërhoqi vërejtjen se SHBA është vetëm një javë larg nga dështimi i mundshëm, që do të dëmtonte mirëqenien ekonomike të amerikanëve dhe do të dëmtonte pozicionin e vendit në botë.

Obama fajësoi për krizën ligjvënësit republikanë duke i akuzuar ata se po refuzojnë që të bëjnë kompromis dhe se po mbështesin vetëm shkurtimet e shpenzimeve në programe, por jo edhe rritjen e taksave për amerikanët e pasur.

“Fatkeqësisht, në javët e kaluara, anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se e vetmja mënyrë për të cilën ata do të votonin, është që ne të tjerët të pajtohemi me qasjen e tyre vetëm për shkurtimin e shpenzimeve. Nëse kjo ndodh dhe në dështojmë, nuk do të kemi para të mjaftueshme për të paguar detyrimet tona”, tha Obama.

Duke reaguar ndaj fjalimit të Presidentit, udhëheqësi i republikanëve në Kongres, Xhon Bohner, tha në fjalimin e tij televiziv se SHBA nuk duhet të dështojë të paguajë obligimet, por se republikanët nuk besojnë se populli amerikan do të pranojë rritjen e kufirit të borxhit, pa bërë shkurtime domethënëse të shpenzimeve dhe pa reforma.

Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Kongres mes republikanëve dhe demokratëve të Obamës mbi kufirin e ri të borxhit, më 2 gusht, ekspertët thonë se SHBA do të humbë mundësinë e saj legale për të huazuar para dhe të paguajë obligimet e saj, duke nxitur kështu turbullira të reja globale ekonomike.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-07-26 17:01
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›