Kriza politike, Frattini dhe Lambrinidis vizitojnë Shqipërinë
TIRANË: Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini dhe ai Grek, Stavros Lambrinidis, pritet të vizitojnë Tiranën, më 12 shtator, në një mision të përbashkët të koordinuar nga Brukseli. Dy ministrat e jashtëm do të vijnë në Shqipëri me qëllim nxitjen e dialogut politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për integrimin në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm Grek, Stavros Lambrinidis, i cili aktualisht ndodhet në një vizitë në rajonin e Ballkanit, pritet që gjatë ditës së premte të vizitojë Kosovën, e më pas, të bashkohet me Frattinin për të ardhur në Tiranë. Mësohet se gjatë këtij takimi, dy zyrtarët e lartë do të takohen me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha si dhe me kreun e opozitës, Edi Rama, ku do të përpiqen që t’i ulin këta të fundit në një tryezë, për të diskutuar në lidhje me reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria. Gjithashtu ata pritet të takohen dhe me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Sequi. Vizita në fjalë vjen vetëm 1 muaj përpara publikimit të progres-raportit të KE-së për Shqipërinë.