E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri me Greqinë, 72 shoqata, kundër Marrëveshjes



TIRANË - Pas zërave të veçuar nga radhët e ekspertëve të ushtrisë dhe të çështjeve ndërkombëtare që dolën kundër firmosjes së marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për Shelfin Kontinental, kësaj radhe kanë reaguar në grup 72 organizata të ndryshme. Kur kanë mbetur edhe pak ditë që të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, historianë, politikanë e përfaqësues të grupeve të ndryshme u kanë bërë apel institucioneve shqiptare që të mos ratifikohet në Parlament Marrëveshja. Ata kanë zhvilluar dje një takim në Muzeun e Shkencave, duke dalë kundër ndryshimit të kufijve detarë. Mes personaliteteve që kundërshtojnë nismën e re janë eksperti për çështjet ndërkombëtare, Arben Puto, historiani Pëllumb Xhufi dhe koloneli në pension, Myslim Pashaj.
Deklaratat
Arben Puto, historian dhe njohës i mirë i së drejtës ndërkombëtare, bëri apel për një ballafaqim mes argumenteve dhe studimit të kolonelit Myslym Pashaj mbi këtë marrëveshje. “Jemi përpara një studimi dhe nuk ke të bësh me supozime, por me fakte dhe llogaritje të ekspertit më të mirë dhe të padiskutueshëm në vendi tonë, për të cilin deri tani nuk është dhënë asnjë përgjigje nga autoritetet. Nuk flasim për dyshime, por për probleme serioze që duhen parë me kujdes. Duhet të ballafaqohen argumentet”.
"Nga Marrëveshja del se ujërat e brendshme të gjirit të Sarandës janë përfshirë në ujërat territoriale, çka përbën një shkelje, pasi ujërat e brendshme asnjëherë nuk përfshihen në procesin e ndarjes së kufijve detarë", - shtoi më tej historiani i njohur Arben Puto.
Pëllumb Xhufi, historian dhe politikan i njohur, e cilësoi Marrëveshjen "të turpshme", duke vendosur paralelizëm me historinë e shitjes së ishullit të Shën Naumit nga mbreti Zog. Xhufi ngriti pyetjen: “Po kjo qeveria jonë, që ia jep ujërat detare Greqisë brenda ditës, përse e bëri një gjë të tillë?!”. “Historia nuk është histori e re, por na kujton historinë e shitjes së ishullit të Shën Nuamit nga mbreti Zog”, - tha Xhufi, duke shtuar se “ne nuk e dimë çfarë qeverisje e politikanësh kemi. Me Greqinë kemi problemin e Ligjit të Luftës, që iu ngrinë pasuritë qytetarëve shqiptarë në bazë të këtij ligji, problemin e madh çam, 200-250 mijë çamë që u dëbuan, kemi problemin e kufijve tokësorë. Greqia nuk njeh kufirin tonë tokësor, sepse Greqia, që nga koha kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, madje që në kohën e Zogut, nuk ka pranuar t’i njohë këta kufij”, - tha historiani i njohur.
Studimi
Kolonel Pashaj, i cili ka hartuar dhe studimin ku argumenton shkencërisht se Marrëveshja i fal 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore në detin Jon Greqisë, u bëri apel Parlamentit e shtetit të mos ratifikohet Marrëveshja. "Në një moment kur SHBA-të, 27 vjet nuk kanë ratifikuar Marrëveshjen e Montegoobejt dhe akoma kanë probleme me interesat e tyre kombëtare në të gjithë botën, pse u dashka që për 7-8 muaj, ne, shpejt e shpejt, në mënyrë hermetike, të nënshkruajmë Marrëveshjen?" - thotë Pashaj.
Marrëveshja
Marrëveshja ka kaluar në qeveri dhe është firmosur mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Po ashtu, ajo është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Tashmë pritet vetëm votimi në Kuvend, i cili mendohet të miratohet deri më 19 tetor të këtij viti. Zërat kundër thonë se përmes kësaj marrëveshjeje Greqia përfiton 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon. Konkretisht, vetëm nga Kepi i Stillos, përballë gjirit të Këlcyrës, në hyrje të ngushticës veriore të Korfuzit, pala greke ka përfituar 2.9 km2; nga shkëmbi Barketa, 1.5 km2.

Shkurte

Arrestohen babë e bir, grabitën shtëpinë e kreut të Këshillit të Qarkut Gjirokastër

GJIROKASTËR – Pas rreth tre muajsh hetime, policia ka arritur të gjejë dhe prangosë autorët e vjedhjes së banesës së kreut të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, Arben Çulli. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se u arrestuan Kaso Zhola dhe djali i tij 18-vjeçar, Zeman Zhola, të dy lindur dhe banues në fshatin Veliqot të rrethit të Tepelenës. Sipas tyre, dy pjesëtarët e familjes Zhola akuzohen se “më datën 18.06.2009, në orët e pasdites, janë futur në banesën e shtetasit Arben Çulli, banues në lagjen ‘15 Shtatori’ në qytetin e Tepelenës, ku kanë vjedhur shumën prej 1.5 milionë lekësh të rinj dhe katër aparate celularë. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut thotë se “zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë si rezultat i punës profesionale të bërë nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër si: grumbullimi i informacionit të marrë në rrugë operative, gjurmimi i të dyshuarve, duke siguruar prova dhe fakte, ku më pas në bazë të këtyre provave u bë dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale”.
“Shtetasit e mësipërm janë kapur në banesë nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe gjatë ndalimit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dy aparate celulare dhe një kartë SIM, e cila ishte përdorur në dy prej aparateve të vjedhur”, - sqaron zëdhënësi Gentian Mullai. Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Arrestohet Bashkim Brahimi, po çonte 9 klandestinë drejt Greqisë

KORÇË – Përpjekja e një personi për të kaluar 9 klandestinë drejt Greqisë kundrejt pagesës ka dështuar, gjë që ka sjellë më pas arrestimin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 19:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bashkim Brahimi, 22 vjeç, lindur ne Pukë dhe banues në Valias të Tiranës. Sipas tyre, “prangosja e Brahimit u bë pasi në të njëjtën ditë, në vendin e quajtur Lugina, pranë fshatit Kapshticë të rrethit Devoll, u kap së bashku me 9 persona të tjerë nga rrethet Pukë, Mirditë e Dibër, të cilët po i ndihmonte për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt një shpërblimi prej 100 eurosh për person”. Zëdhënësja e policisë së qarkut, Bacelli, thotë se janë kryer veprimet procedurale për shtetasin Bashkim Brahimi dhe i kanë kaluar prokurorisë për hetimin e veprës penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›