E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ngre komision shtetëror për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog

Lajmi u dha dje nga kryeministri Berisha në një konferencë të posaçme për shtyp. Në vitin 2003, një grup deputetësh kërkuan zyrtarisht kthimin e eshtrave të mbretit

“Jam sot para jush për të njoftuar opinionin se qeveria shqiptare do të krijojë një komision qeveritar shtetëror për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne, Zogut I dhe anëtarëve të familjes mbretërore”. Kështu e nisi dje konferencën për shtyp kreu i qeverisë, Sali Berisha. Sipas tij, qeveria shqiptare e merr këtë vendim duke njohur Ahmet Zogun kryeministër, president dhe më vonë, mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar. “Vitet para se Ahmet Zogu të zgjidhej kryeministër, president dhe më pas të kurorëzohej mbret i shqiptarëve janë karakterizuar nga një veprimtari e madhe, e gjithanshme, patriotike, e zjarrtë e tij, që nga pavarësia deri në momentin e zgjedhjes së tij si kryeministër e më pas si president i vendit. Ahmet Zogu bëri që Shqipëria, e cila pas pavarësisë, për shkak të ambicieve antishqiptare të fqinjëve, por edhe absurditeteve të qëndrimit të drejtuesve lokalë të asaj kohe, po përjetonte një kaos në doktrinën se si ky vend të faktonte që nuk mund të bëhej shtet”, - u shpreh dje kryeministri.
Personalitetet
I pyetur se si kishte arritur qeveria në këtë vendim ndërsa janë edhe eshtrat e shumë personaliteteve të tjera të planifikuara për t’u kthyer në atdhe, Berisha këtë vendim e justifikoi me peshën e veçantë dhe rolin historik të mbretit Zog. “Së pari, mbreti është mbreti, autoriteti suprem shtetëror i vendit. Ky proces do të ketë të gjitha nderimet dhe kujdesin shtetëror që i takon mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne. Qeveria ime do të bëjë të gjitha përpjekjet që personalitetet e mëdha të kombit të prehen në vendin e tyre. Ne kemi filluar negociatat dhe po negociojmë me qeverinë e Indisë dhe do t’i intensifikojmë gjatë këtij viti këto negociata, në mënyrë që, po të jetë e mundur, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, të rikthejmë eshtrat e saj dhe ajo të prehet në Shqipëri. Ju theksuat Nolin dhe Konicën, dy burra të mëdhenj të kombit. Në vitet ’90 qeveria ime solli eshtrat e poetit, shkrimtarit, diplomatit, atdhetarit të shquar Faik Konica dhe ai prehet, së bashku me vëllezërit Frashëri, në Kodrat e Liqenit. Por ju keni të drejtë, nuk janë sjellë në vend eshtrat e Nolit”, - deklaroi dje Berisha. Këtu sërish ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe do të diskutojmë me përfaqësuesit tanë të diasporës. Por ka edhe një problem, si primat i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë. Ndaj dhe Kisha shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pashpallur. Por qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të kthyer në Shqipëri burrin e madh të kombit, Mit’hat Frashërin dhe personalitete të tjera.
Eshtrat
Dyzet nga figurat më të shquara të Shqipërisë që jetuan në kohëra të ndryshme, banesën e tyre të fundit e kanë jashtë vendit. Madje, katër nga krerët më të mëdhenj që kanë drejtuar Shqipërinë, si mbreti i Ilirisë, Genti, Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, Pashai i Janinës dhe mbreti i Shqipërisë, Zogu I, nuk i kanë eshtrat në Shqipëri. Por kësaj liste i shtohen edhe personalitete si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Vaso Pasha, Halim Xhelo, Aleksandër Moisiu, Martin Camaj etj., të cilët, edhe pse dhanë kontribut të çmuar për Shqipërinë, u prehën në dhè të huaj, shpeshherë duke lënë edhe amanetin që 1trupin e tyre ta varrosnin atje ku kishin lindur.

Ali Pashë Tepelena dhe Sulejman Pashë Bargjini, me nga dy varre

Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena dhe themeluesi i Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini, janë dy nga figurat e historisë së popullit tonë që kanë dy varre. Sulejman Pasha, sipas historianëve, duke qenë shumë i dashuruar me vendet arabe, la si amanet para se të vdiste që trupi t'i varrosej në Tiranë, aty ku sot ndodhet monumenti i tij, ndërsa zemra në Bagdadin e largët, në Irak. Por, nëse Sulejman Pasha e kishte lënë me amanet që të varrosej në dy vende, Pashai i Janinës nuk e kishte kërkuar vetë një gjë të tillë. Ai, pasi arriti të bënte zap gjithë Shqipërinë e Jugut nën emërtimin Pashallëku i Janinës, solli te Porta e Lartë një pështjellim të madh. Për këtë arsye ndaj tij u vendos e gjithë ushtria osmane. Në këto kushte, Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që u ishin vënë në shërbim Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Por, në të vërtetë, nuk ndodhi kështu, pasi më 5 shkurt 1822, Ali Pashë Tepelena u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua në Stamboll te sulltani, ndërsa trupin e varrosën në Janinë, që atëbotë ishte territor shqiptar. Një dervish, kokën e Aliut e varrosi pranë të bijve me këtë mbishkrim: "Këtu është varrosur koka e të famshmit Ali Pashë Tepelena, ish-qeveritar i Janinës, i cili për më tepër se 30 vjet qeverisi i pavarur në Shqipëri".

Lista e figurave që u janë kthyer eshtrat

1. Ismail Qemali, 1932
2. Naim Frashëri, 1976
3. Sami Frashëri, 1976
4. Abdyl Frashëri, 1976
5. Asdreni, 1970
6. Hasan Prishtina, 1977
7. Faik Konica, 1995
8. Aleksandër Kondo, 2005

Lista e figurave që nuk u janë kthyer eshtrat

1. Mbreti Gent, mbreti i Ilirisë në vitin 171-167. Varri në Peruxhia, Itali, vdiq më 146 p.e.s

2. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, prijësi i shqiptarëve për 25 vjet, varri në Lezhë, vdiq më 1468-n, eshtrat u morën nga turqit si hajmali
3. Sulejman Pashë Ballgjini, themeluesi i Tiranës, 1614, varri në Tiranë, zemra në Bagdad, Irak
4. Ali Pashë Tepelena, pashai i Pashallëkut të Janinës për 31 vjet. Trupi i varrosur në Janinë, në vitin 1822, koka në Stamboll
5. Hoxha Tasin, rilindës shqiptar, varri në Stamboll, Turqi
6. Eqerem bej Vlora, ministër në Perandorinë Osmane, varri në Vjenë, Austri
7. Fan Noli, politikan, shkrimtar dhe klerik, varri në Boston, SHBA, vdiq më 1965-n
8. Ahmet Zogu, mbret i shqiptarëve për 11 vjet, varri në Paris, Francë, vdiq më vitin 1961
9. Luigj Gurakuqi, atdhetar dhe pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë 1912, varri në Bari, Itali, vdiq më 1925-n
10. Vaso Pasha, rilindës shqiptar, varri në Liban, vdiq më 1892-shin
11. Mit’hat Frashëri, kreu i Ballit Kombëtar, varri në Nju Jork, SHBA, vdiq në vitin 1949
12. Branko Merxhani, publicist i njohur i viteve ’30, varri në Turqi, vdiq në vitin 1981
13. Ernest Koliqi, shkrimtar, ministër në qeverinë fashiste, varri në Itali, vdiq në vitin 1975
14. A. Z. Çajupi, shkrimtar rilindës, varri në Kajro, Egjipt, vdiq në vitin 1930
15. Halim Xhelo, atdhetar, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, varri në Spanjë
16. Xhafer Deva, ministër i Brendshëm gjatë pushtimit gjerman, varri në Kaliforni, SHBA, vdiq në vitin 1978
17. Mehdi Frashëri, politikan dhe atdhetar i njohur, varri në Itali
18. Tajar Zavalani, gazetar i BBC-së, publicist i njohur, varri në Amerikë, vdiq në vitin 1976
19. Imzot Nikollë Kaçori, klerik, pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë, zv/kryeministër, varri në Vjenë, Austri, vdiq në vitin 1917
20. Rexhep Mitrovica, kryeministër i qeverisë kuislinge në Shqipëri, varri në Itali, vdiq në vitin 1967
21. Aleksandër Moisiu, aktor i njohur i viteve ’30, varri në Itali, vdiq në vitin 1935
22. Hasan Dosti, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Los Anxhelos, SHBA, vdiq në vitin 1958
23. Ali Këlcyra, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Itali
24. Patër Anton Arapi, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Itali
25. Koço Muka, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Aleksandri, Egjipt, vdiq në vitin 1947
26. Ago Agaj, ministër në qeverinë kuislinge, varri në SHBA
27. Preng Previzi, ministër i qeverisë kuislinge, varri në Belgjikë, vdiq në vitin 1977
28. Vangjel Koça, publicist i njohur në vitet ’30, varri në Greqi
29. Naum Veqilharxhi, rilindës, varri në Rumani, vdiq në vitin 1846
30. Qemal Jusufati, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Itali
31. Ragip Frashëri, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Stamboll, Turqi
32. Ali Kelmendi, një nga drejtuesit komunistë të viteve ’30, varri në Francë, vdiq në vitin 1939
33. Martin Camaj, shkrimtar i njohur, varri në Munih, Gjermani, vdiq në vitin 1992
34. Mustafa Kruja, ministër i qeverisë kuislinge, vdiq në Niagara, Falls, SHBA, më 27 dhjetor 1958
35. Xhemal Aranitasi, komandant i Mbrojtjes në Mbretërinë Shqiptare, varri në Turqi, vdiq në vitin 1961
36. Salih Myftija, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Turqi
37. Abaz Ermenji, kryetari Ballit Kombëtar, varri në Paris, Francë, vdiq në vitin 2003
38. Filip Shiroka, poet dhe prozator i njohur shkodran, varri në Bejrut, Liban, vdiq në vitin 1935
39. Vasil Andoni, sekretar i kabinetit i qeverisë kuislinge, varri në Itali
40. Abaz Kupi, atdhetar nacionalist, varri në SHBA, vdiq në vitin 1976

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›