E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellimi i krizës, fasonistët i kërkojnë qeverisë heqjen e përkohshme të TVSH-së



Ervin KOÇI

Kriza ekonomike është thelluar më tej për sektorin e bizneseve të fasonit në vend të cilët nuk kanë nguruar t’i kërkojnë dje qeverisë që ti lehtësojë pjesërisht nga një pjesë e taksave. Fasonistët kanë kërkuar lehtësimin përkohësisht nga TVSH-ja, të paktën deri sa aktiviteti i tyre të rifitojë stabilitetin e një viti më parë. Ky sektor i cili vetëm pak muaj më parë numëronte si të punësuar në ndërmarrjet e veshjeve në të gjithë vendin mbi 100 mijë punonjës, aktualisht ka “hedhur në rrugë” mbi 1/10 e tyre. Kjo ka ardhur direkt prej falimentimit dhe mbylljes së ndërmarrjeve dhe robaqepsive që punonin me mall porositës dhe që janë goditur prej krizës ekonomike globale. Sipas kryetarit të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, Edmond Rusmali, kompanitë e biznesit të madh dhe sidomos ato të Fasonit në vend, kanë dhënë me kohë sinjalin “SOS” për krizën ekonomike që i ka mbërthyer. Duke kërkuar ndihmë nga qeveria përfaqësuesi i bizneseve të fasonit, ka kërkuar pikërisht lehtësimin për disa kohë nga barra e TVSH-së për subjektet që punojnë me mall porositës.

Kriza

Subjektet e biznesit të madh janë sektori i ekonomisë cili është prekur më tepër nga kriza ekonomike që ka goditur vendin. Këtë shqetësim një pjese kompanive dhe sektorëve kryesor si fasonistët, ndërtuesit dhe sektori bankar, ia kanë shprehur direkt qeverisë. Sot numri i ndërmarrjeve që janë mbyllur, ose që janë në prag të mbylljes, apo dhe i atyre që kanë reduktuar në maksimum numrin e punëtorëve dhe që iu mungon likuiditeti për vazhdimin normal të punës, po rritet dita ditës. Numri i punëtorëve të shkurtuar, i atyre që punojnë me ndërprerje për shkak të mungesës së porosive dhe i atyre që janë dërguar në shtëpi, në pritje të lidhjes së kontratave të reja, shënon rreth 20 mijë. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e ndërgjegjshme se situata ishte për t’u vlerësuar, i është drejtuar më shumë se njëherë qeverisë shqiptare të merrte masa në mbështetje të biznesit fasonist, me qëllim tejkalimin e pasojave të krizës për një periudhë të caktuar. Por deri tani asnjë masë lehtësuese nuk është marrë, pavarësisht premtimeve të qeveritarëve. Sipas fasonistëve, likuiditeti i munguar është si pasojë e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania etj, kompanitë e të cilave kanë krijuar probleme të mungesës së likuiditetit për kompanitë shqiptare për këtë periudhë krize.

Eksporti

Bizneset e fasonit janë eksportuesit më të mëdhenj në vend me mbi 50 për qind të totalit të eksporteve. Por vitin e fundit, eksporti i produkteve me material gjysmë të gatshëm ka shënuar një rënie të ndjeshme, duke dhënë sinjalet e para për një krizë të mundshme. Sipas “Acit”, pesha e kësaj industrie në eksportet shqiptare ra 47 për qind në vitin 2007 nga 55 për qind që ishte një vit më parë. Ndërkohë duke parë situatën e vitit të fundit, pesa e industrisë së fasonit në eksportet shqiptare mendohet të jetë ulur edhe më tej, kjo edhe për shkak të prekjes gjerësisht të këtij sektori ekonomik nga kriza ndërkombëtare.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›