E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti shpenzon në ditë 207 lekë për personat me aftësi të kufizuara



Laureta Rryçi

Shteti shpenzon në ditë 207 lekë për personat me aftësi të kufizuara. E thënë ndryshe, edhe një i dënuar ka kosto më të lartë për buxhetin e shtetit, ndërsa më të diskriminuarit dhe të lënë në mëshirë të fatit janë ata që nuk kanë nevojë vetëm për ndihmën e shtetit. Një inspektim i Avokatit të Popullit në qendrën ku trajtohen personat me aftësi të kufizuar në Vlorë ka nxjerrë në pah kushte skandaloze. Për këtë arsye, Avokati i Popullit u ka dërguar një shkresë zyrtare ministrit të Punës, Çështjeve Sociale
dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera dhe drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço. Drejtuesja e kësaj qendre, Olta Sinani, i ka shpjeguar komisionerëve të Avokatit të Popullit se në këtë qendër trajtoheshin fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara, të kategorizuar në forma të lehta, të rënda apo me sindromën “daun” të moshës 6-25 vjeç. Kjo qendër përbehej nga një godinë e vetme dykatëshe, e rrethuar me një oborr të madh dhe të gjelbëruar. Numri i përfituesve të kësaj qendre ishte 24 persona dhe strehoheshin 22. Shërbimi funksiononte gjatë gjithë javës. Kjo qendër financohej nga buxheti i shtetit dhe në vlerën njëzet milionë lekë nga Bashkia e qytetit Vlorë.
Inspektimi
Sipas shkresës zyrtare të Dobjanit, personeli i kësaj qendre përbëhej nga 21 persona: 10 kujdestarë, 1 punonjëse sociale dhe pjesa tjetër staf ndihmës. “Kuota ushqimore ishte 207 lekë në ditë për person. Kjo kuotë ishte e pamjaftueshme, gjë që na u pohua nga vete stafi dhe personeli i kuzhinës”, - thuhet në relacionin e dërguar ministrit të Punës. Dobjani, në shkresën e tij, nuk është kursyer për vlerësimin pozitiv ndaj stafit që punonte për këta persona me aftësi të kufizuara.
Problemet
Problem shqetësues është evidentuar lagështira e madhe në katin e parë, pasi kjo godinë është ndërtuar që në vitet 1950 dhe asnjëherë nuk është bërë drenazhimi i këtij kati. Kuota ushqimore prej 207 lekësh në ditë, sipas drejtueses së qendrës, ishte e pamjaftueshme, pasi këta fëmijë instinktin e të ngrënit e kanë më të madh se fëmijët e zakonshëm. Drejtuesja ngriti pretendimin e shtesës në organikë të mësuesve, pasi kjo kategori fëmijësh nuk përballohet vetëm me kujdestarët, të cilët shumicën e kohës e kalojnë duke i shërbyer atyre në larje, ushqyerje, ndërrim veshmbathje, pasi shumica nuk i kryejnë vetë këto nevoja. Gjithashtu kjo qendër nuk kishte në organikë një mirëmbajtës dhe prandaj për riparimin e defekteve të ndryshme angazhohej vetë stafi i qendrës. “Një problem tjetër social që kërkon vëmendjen e të gjitha strukturave shtetërore është edhe transferimi i këtyre fëmijëve kur kalojnë moshën e përcaktuar të qëndrimit në këtë qendër. Sipas drejtueses, shteti nuk disponon qendra të veçanta për këtë kategori kur ata kalojnë në moshë madhore dhe, si rezultat, ata bashkëjetojnë në një ambient me fëmijë të vegjël”, - përfundon shkresa e Dobjanit.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›