E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna jo cilësore, mbyllet tuneli i Kalimashit për një afat të papërcaktuar



Prej ditës së diel do të mbyllet tuneli i Kalimashit, i cili ndodhet përgjatë autostradës së re Durrës-Kukës, e inauguruar vetëm pak ditë para fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky lajm u konfirmua dje nga ministri i Transportit, Sokol Olldashi, sipas të cilit një masë e tillë do të ndërmerret për shkak të sigurimit të mbarëvajtjeve të disa punimeve të fundit riparuese në këtë tunel. “Duke filluar nga ora 19:00 e ditës së diel, datë 11 tetor 2009, tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen-Kalimash, do të mbyllet”, - tha para gazetarëve, ministri Olldashi. Sipas tij, tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël. Rrjedhimisht, kalimi do të bëhet pjesërisht përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morinë-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Gjithsesi, Olldashi nuk dha asnjë afat se kur do të rihapet tuneli i Thirrës. Menjëherë pas inaugurimit të tij, dy ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit, kompania ndërtuese i kërkoi autoriteteve shqiptare më shumë se një herë, të ndërpresin udhëtimin në tunel, i cili ende nuk është i papërfunduar plotësisht dhe në pjesë të caktuara të tij ka rrezik të lartë për udhëtarët. Ky risk i lartë për shëmbje ka bërë që prej disa ditësh autokolonat e makinave që udhëtojnë në këtë segment të shoqërohen nga makinat avaro-shpëtuese të kompanisë ndërtuese. Që nga dita e përurimit që dukshëm ishte elektoral, tuneli u mbyll disa herë, ku më e fundit, ndodhi më 21 shtator të këtij viti.

OSSH-ë, humbjet në rrjet janë vetëm 3 për qind më të larta se pretendimet

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë i kërkon Entit Rregullator të Energjisë që të pranojë se niveli i humbjeve në rrjet është 35.7 për qind, çka do të thotë vetëm 3 për qind më i lartë se ai zyrtar. Pronarët e rinj çek thonë se këtë rezultat e kanë nxjerrë të gjitha verifikimet e kryera nga kompania private e Auditit, “Artur D Little”. Por nëse pranohet se humbjet në rrjet janë më të mëdha, atëherë edhe rritja e çmimit të energjisë do te jetë më e lartë. Enti Rregullator ka dëgjuar në një seancë raportin e konstatuar nga kompania audituese. Sipas Bujar Nepravishtës, kryetar i ERE-s, në fund të muajit dhjetorë 2008 humbjet në rrjet ishin 32.7 për qind. Por pronarët çek kontraktuan një kompani të huaj të pavarur për të bërë matjet reale të cilat rezultuan 3 për qind më të larta. Përfaqësuesi i kompanisë që ka bërë auditimin pohon se një nga problemet kryesore të vërejtura është abuzimi me faturimin e energjisë elektrike. “Pas testimit ne kemi gjetur mangësi të mëdha në sistemin e faturimit të energjisë. Kemi konstatuar shume gabime, ka pasur shumë mbi faturime por edhe fatura aforfe të paargumentuara. Ky sistem nuk ka qenë i menaxhuar mirë, ndaj ne mendojmë dhe argumentojmë se niveli i humbjeve është 35.7 për qind”- thotë Jakub Minarik, përfaqësues i “Artur D Little”. Por ERE nga ana e saj do të japë përgjigjen përfundimtare pas një jave në se do të pranojë ose jo këtë nivel humbjesh.

Gazsjellësi transadriatik, BE do të financojë Shqipërinë për t’u përfshirë në rrjet

Bashkimi Europian do të mbështetë financiarisht qeverinë shqiptare për t’u bërë pjesë e projektit dhe rrjetit ndërkombëtar të gazit siç është ai i gazsjellësve transadriatik (TAP) dhe atij të rigazifikimit të gazit të lëngshëm. Financimi për përfshirjen në këto projekte, do të mundësohet nëpërmjet dy institucioneve financiare ndërkombëtare “BEI”-t dhe “BERZH”-it. Këtë informacion të rëndësishëm e kanë konfirmuar burime zyrtare nga METE, sipas të cilave për këtë qëllim Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Energjisë, e cila po mbahet këto ditë në Bruksel, zhvilloi një takim me Komisionerin Europian për Energjinë, Andris Piebalgs, në Bruksel. Ministri Prifti, pas prezantimit të reformave kryesore në sektorin e energjisë, paraqiti objektivat dhe qëllimin e qeverisë për përmirësimin dhe fuqizimin e këtij sektori në vend. Piebalgs shprehu vlerësimet më të larta rreth zhvillimeve në sektorin energjetik në Shqipëri. Ai siguroi mbështetjen e Bashkimit Europian për projekte të ndryshme si: për ndërtimin e rrjeteve të gazsjellësve transadriatik (TAP) dhe atij të rigazifikimit të gazit të lëngshëm, duke përdorur kapacitetet stokuese të vendit, funksionimin e qendrës rajonale të koordinimit të ankandeve energjetike, apo linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje. Gjithashtu, Piebalgs ofroi gatishmërinë për mbështetje financiare nga BEI dhe BERZH-i për të bërë të mundur realizimin e këtyre projekteve.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›