E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri me Greqinë, trafiqe në të dy drejtimet

Patrullat e policisë kufitare të Kakavijës në bashkëpunim me agjentët e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ndaluan të shtunën një grup emigrantësh klandestinë nga Afganistani. Ky grup shtetasish afganë ka mundur të depërtojë në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek, në vendin e quajtur kthesa e Mullirit përballë pikës së kalimit të Kakavijës, rreth pesë kilometra në brendësi të territorit shqiptar. Në momentin e bllokimit nga policia shqiptare, grupi i afganëve klandestinë përbëhej nga shtatë shtetas.

Nga intervistimi që u kanë bërë specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, rezultoi se këta shtetas ishin nisur nga Afganistani për në Athinë, duke paguar një shumë prej 6000 dollarësh secili.

Pasi kanë mbërritur në Athinë, ata kanë qëndruar disa ditë pa punë dhe më datën 25 prill i ka sjellë një makinë me targa greke deri në afërsi të Kakavijës, ku kanë kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe kanë hyrë në territorin shqiptar.

Sipas deklarimeve të klandestinëve afganë, qëllimi i tyre final ishte kalimi ilegal për në Kosovë, ku u kishin premtuar se do të bënin dokumentet e legalizimit.

Pas bllokimit, afganët janë transportuar fillimisht në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ku specialistët e Zyrës së Migracionit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë kryer intervistimet dhe dokumentimin e identiteteve dhe rreth orës 21:30 të së shtunës, policia i ka transportuar në drejtim të Tiranës, nga ku më pas, sipas proceduarave ligjore do të kthehen në vendin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›