E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimi i imunitetit, arsyet e dështimit të nismës

18/08/2010 Intervista e ish-negociatorit

Ish-negociatori i PS-së, Ylli Bufi, për kufizimin e imunitetit sqaron pse dështoi nisma PD-PS për ndryshimin e Kushtetutës dhe prapaskenat e bisedimeve. Sipas tij, kufizimi i imunitetit të deputetëve përmes ndryshimit të Kushtetutës kërkon vullnet politik dhe shoqëror.

Zoti Bufi, si shpjegohet që kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit ka mbetur ende një çështje pa zgjidhje?

Ka shumë çështje në Kuvendin e Shqipërisë, që për një kohë të gjatë kanë mbetur pa zgjidhje. Për të mos folur për Kuvendin e kaluar, ka më se një vit që ai punon pa opozitën. Që një Parlament të punojë normalisht, duhet të ketë të dy pjesët përbërëse të tij, shumicën që mbështet qeverinë dhe opozitën, që jo vetëm e kritikon atë, por jep dhe alternativën e saj. Në situatën në të cilën ndodhet tani Kuvendi më duket krejtësisht e pamundur që çështja e statusit të imunitetit të futet në rendin e ditës.

Ju keni qenë pjesë e një grupi pune të ngritur nga Kuvendi me objekt përgatitjen e ndryshimeve në Kushtetutë për imunitetin. Pse ngecen këto negociata?

Ka pasur iniciativa të ndara nga palët, të dyja jo në përputhje me dispozitat kushtetuese. Pati edhe një konsultim me Komisionin e Venecias. Më në fund u ra dakord që heqja apo kufizimi i imunitetit nuk mund të bëhet as me anë të shtimit të një neni në rregulloren e Kuvendit, as me anë të një ligji, qoftë ky ligj organik. Unë dhe zoti Rusmali u caktuam për të gjetur një zgjidhje. Pasi bëmë disa konsultime, ramë dakord që rruga që duhet të ndjekë Kuvendi për heqjen/kufizimin e imunitetit duhet të jetë ajo e ndryshimit të Kushtetutës. Por ndryshimi i saj, pas rastit shumë të debatuar të lidhur me ndryshimin e neneve të Kushtetutës për mocionin e besimit/mosbesimit ndaj Kryeministrit, ishte i papëlqyer dhe i paragjykuar. Argumentet e sjella lidheshin me papërshtatshmërinë e ndryshimeve të shpeshta të Kushtetutës pa studimin dhe konsultimet e gjera. Për disa ky ishte një argument serioz, ndërsa disa të tjerë e shfrytëzuan këtë për ta shtyrë çështjen e imunitetit për Parlamentin e ri.

Cila mendoni se mund të jetë zgjidhja për këtë çështje zoti Bufi?

Diskutimet e bëra deri në atë kohë synonin kufizimin e imunitetit dhe jo heqjen tërësore të tij. U gjykua se heqja tërësore e imuniteteve do të ishte një veprim i skajshëm, jo fort i sugjerueshëm në kushtet kur institucionet e drejtësisë nuk konsiderohen akoma të konsoliduara dhe në kushtet e një Republike Parlamentare me “qeveri të fortë”. Në këto kushte unë paraqita formulimin e mëposhtëm, për të cilin pata një vlerësim pozitiv nga z. Rusmali, por jo një miratim të quajtur përfundimtar. Propozimi im ishte që neni 73, pikat 2 dhe 3 e Kushtetutës të riformuloheshin si më poshtë: “2. Pa autorizimin e Kuvendit, deputetit nuk mund t’i hiqet liria personale, në çfarëdolloj forme, me përjashtim të rasteve të ekzekutimit të një vendimi penal të formës së prerë. Ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit personal, të banesës apo të zyrës. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur deputeti u nënshtrohet përgjimeve, në çfarëdolloj forme, të bisedave ose komunikimeve, përfshirë kontrollin e korrespondencave. 3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili mund të vendosë për heqjen e masës”. Pra, rekomandohej që pika 2, të ndryshohej në drejtim të heqjes së autorizimit për procedimet penale dhe heqjes së autorizimit, kur ka një vendim penal të formës së prerë. Gjithashtu, pika 3, mund të ndryshohej duke hequr togfjalëshin: “kur konstaton se nuk ka vend për procedim”, për pasojë e heqjes së autorizimit për ndjekje penale që përcaktohet në pikën 2. Që të arrihet kjo, duhet një vullnet i gjerë, jo vetëm politik. Pjesëmarrja e opozitës në këtë proces, është garanci absolute për suksesin e një reforme të tillë kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›