Kufoma e një ish-ministri të Libisë zbulohet në Danub

Trupi i ish-ministrit të Naftës në Libi, Shukri Ghanem, është gjetur në lumin e Danubit në Vjenë, njoftoi policia austriake. Zëdhënësi i policisë ka bërë të ditur se nuk janë gjetur shenja dhunë në trupin e tij. 69-vjeçari, i cili punonte si konsulent për një kompani me qendër në Vjenë, ishte larguar nga shtëpia të shtunën.
Trupi i tij është gjetur poshtë një ure në një shesh pushimi në Vjenë. Zëdhënësi i policisë, Roman Hahslinger, tha se Ghanem ishte i veshur dhe nuk kishte dokument identifikimi. “Nuk ka shenja dhunë nëse dikush e ka shtyrë. Por mendohet se ai mund të jetë ndier keq dhe mund të ketë rënë në ujë”, tha zëdhënësi.
Ghanemm dezertoi regjimin e kolonelit Muammar Gaddafiit vitin e kaluar, pas nisjes së trazirave. Ai ka ushtruar detyrën e kryeministrit nga viti 2003 deri në vitin 2006 dhe ka qenë ministër i Naftës deri në vitin 2011.