“Kujdes Hoze! Te Interi “gjarpri” të kafshon në prapanicë”
Dash Frashëri
Mungonte vetëm zyrtarizimi, por tashmë mbërriti dhe ai. Hoze Murinjo është tekniku i ri i Interit. Portugezi firmosi një kontratë trevjeçare. Lajmi u komunikua në faqen zyrtare të klubit zikaltër, i shoqëruar edhe me një falënderim për Roberto Mançinin, për atë që kishte bërë në katër vitet e tij si trajneri i Interit. “FC Inter bën të ditur mbërritjen e Hoze Murinjos”, - shkruhet në komunikatën zyrtare.
“GJARPRI” - Entuziazmit të mediave në Itali, në Angli i janë përgjigjur me një tjetër monedhë. Gazeta britanik “The Times”
bëri publike edhe disa këshilla në lidhje me aventurën e portugezit te Interi. “I dashur Hoze, mirëserdhe te Interi. Kur ju erdhët te Çelsi, ju deklaruat se ishit “The Special One” (Njeriu special) dhe jetuat me këtë ndjenjë. Punë e bukur. Unë nuk e di se çfarë do të thoni kur të paraqiteni te Interi ditët e ardhshme, por ju duhet të gjeni një krahasim më të mirë. Pasi ju do të gllabëroheni nga kupat më të helmatisura. Nofkat e Interit janë “Il Biscione” (“Gjarpri i madh) dhe “La Beneamata” (“ I dashuruari”). “Të dyja të vlerësuara. Por, nëse ju nuk do të jeni i kujdesshëm, gjarpri do t’iu kafshojë ju në prapanicë”, - shkruan timesonline.co.uk. “Fakti që ju do të merrni në ngarkim Interin, ku tifozët e kanë pagëzuar si nënë/motër/vajzë/të dashur (zgjidhni kë metaforë të doni) do të thotë se herët apo vonë ju do jeni përballë një shotgani dhe një lopate. Asnjë trajner i Interit në vitet e fundit, përfshirë edhe Helenio Herrera - i cili fitoi dy Liga të Kampioneve – nuk ka i ikur nga klubi me kushte të kënaqshme”.
TRE VJET - “Tekniku portugez firmosi një kontratë trevjeçare dhe do të punojë me projektin e ri të kampionëve të Italisë. Bashkëpunëtorë të tij do të jenë Rui Farias, Sivino e Andrei Villas Boas. Zëvendëstrajner do të jetë Xhuzepe Barezi, më një karrierë të gjatë te Interi dhe drejtues aktual i Sektorit të rinjve. Duke falënderuar Roberto Mançinin dhe stafin e tij për sukseset e arritura në katër sezonet në drejtim të skuadrës, i gjithë Interi i uron me kënaqësi të madhe dhe uron punë të mbarë Hoze Murinjos dhe bashkëpunëtorëve të tij”, - përfundon komunikate”.
PAOLILO- “Hoze Murinjo nuk është absolutisht një personazh antipatik. E vetmja gjë që mund të them është se ai është një profesionist i madh, të tjerat do t’i zbuloni kohë pas kohe”. Këto janë fjalët e Enernesto Paolillo, drejtorit të përgjithshëm të Interit, vetëm disa ditë pasi kishte drekuar në Paris me presidentin Masimo Morati dhe portugezin, trajnerin e ardhshëm zikaltër. Në pritje të lajmërimit zyrtar, Paolilo përdor fjalor diplomatik për të komentuar divorcin me Roberto Mançinin. “Për të mund të them se është një teknik i madh dhe një profesionist i madh. Kështu është jeta. Në çdo ndërmarrje edhe profesionistët e mëdhenj ndërrohen për t’u zëvendësuar nga të tjerë profesionistë të mëdhenj”, -tha drejtuesi zikaltër për mikrofonat e “Sky”.
FIGO - “Me Murinjon, Interi mund të fitojë Ligën e Kampioneve”. Ky është opinioni i veteranit portugez Luis Figo, i cituar nga uebsajti portugez, portugal.net. “Ai mund të fitojë Ligën e Kampioneve me këtë ekip dhe unë dua të jem pjesë e këtij sukses. Kontrata ime përfundoi në maj, por unë dëshiroj të luaj edhe për një vit tjetër. Unë kam marrëdhënie të mira me Moratin”, -tha anësori 35-vjeçar. “Ndryshimi i trajnerit më jep shpresa të jem sërish pjesë e Interit”. Murinjo punoi me Figon, kur ai ishte pjesë e stafit teknik te Barcelona.
ESIEN - Mesfushori i Çelsit, Mikael Esien është dhe objektivi i parë i Hoze Murinjos për Interin e tij të ri. Lajmi jepet nga tabloidi britanik “The Sun”. “Special One” shpreson të sjellë në “San Siro” edhe dy të preferuarit e tij Didier Drogba dhe Frenk Lampard. Ganezi Esien u ble tre vjet më parë për shumë 30 milionë euro. Tratativa duket e gjatë por Murinjo beson në gatishmërinë e Esienit, i cili dëshiron të luajë për portugezin.
LAJMET E MIRA
“Ju do të keni para të shpenzoni (por jo aq shumë sa ju kishit te Çelsi). Ju do të luani në magjikun “San Siro” përballë 80 mijë shikuesve. Media nuk do t’u ndjekë pas kur ju do të shkoni me gruan tuaj për të bërë shoping. Ju do të keni padron një nga njerëzit më gjenerozë në botë, një njeri që tenton të zgjidhë gjithmonë problemet e brendshme duke hedhur shuma të mëdha parash, duke marrë edhe rrezikun përsipër”.
LAJMET E KËQIJA
“Dhe tani lajmet e këqija. Njeriu që jo po zëvendësoni, Roberto Mançini fitoi tri herë rresht Serinë A dhe përsëri iu dha shkelmi. Përse? Janë dy arsye: ai nuk shkonte mirë me njerëzit dhe nuk fitoi Ligën e Kampioneve. Ju mund të jeni i sjellshëm në frontin e parë (lojtarët mund të bëhen si ju), por e arsyeja e dytë është vërtet një problem. Pasi Interi kurrë nuk ka shkuar dhe aq larg në Ligën e Kampioneve”, - përfundon gazeta britanike “The Times”
3 Qershor 2008