Ranieri: “Franca do të fitojë Euro 2008”
Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, zbuloi ekipin e tij favorit për të fituar Euro 2008 duke theksuar se ai sheh si fituesin më të mundshëm Francën. Ish-trajneri i Çelsit nuk i përmendi “axurrët” si fituesit e mundshëm, ndoshta edhe për ndonjë paragjykim të keq. Gjithsesi, Ranieri beson se formacioni blu i Rajmond Domenek, si dhe skuadrat e Spanjës e Portugalisë kanë shanse të qarta për të fituar kompeticionin që përfundon më 29 qershor. “Të gjithë treguesit më bëjnë të besoj se Franca është favorite”, - tha Ranieri për gazetën italiane sportive “Corriere Dello Sport”. “Edhe pse nuk e kanë Trezege, i cili duhet të ishte pjesë e skuadrës, Franca ka një grup lojtarësh të aftë që të kthejnë çdo në favor të tyre. Pastaj, vjen Portugalia me Ronaldon. Pas kampionatit të fundit ata do të përpiqen të fitojnë dhe të gjejnë ekuilibrin midis futbollit solid dhe atij spektakolar. Unë gjithashtu jam kurioz të di se çfarë do të ndodhë me Spanjën. Ata nuk e kanë marrë Raulin, por në gjirin e tyre kanë shumë lojtarë të rinj premtues”. Franca ka në grup Italinë, Rumaninë e Holandën.
RIBERI – Mesfushori i Francës, Frenk Riberi beson se ai dhe Karim Benzema do të jenë të aftë të bëjnë diferencën në finalet e Euro 2008, edhe pse ekipi i tyre barazoi 0-0 në miqësoren kundër Paraguajit. Futbollisti i Bajernit të Munihut e ndjen se ai dhe sulmuesi i Olimpikut të Lionit, Karim Benzema do të luajnë në nivel të lartë. Riberi tha uefa.com: “Unë dhe Karim kuptohemi shumë mirë. Ne shkojmë mirë si në fushë ashtu dhe jashtë saj”. Trajneri Rajomond Domenek kërkon një grup kompakt, për më tepër që dhe Patrik Vieira mund t’i japë lamtumirë Euro 2008 për shkak të dëmtimit. Bosi francez tha: “Ne kemi 23 lojtarë në skuadër dhe të gjithë janë duke u përgatitur për ndeshjen e 9 qershorit”. Testi i fundit i Francës do të jetë ai kundër Kolumbisë ditën e martë. Sulmuesi Tieri Henri shtoi: “Pas kësaj ndeshje de të gjithë do të kemi një ide të qartë për 11-shin tonë startues”.
FLAMINI – Mesfushori Matieu Flamini u thirr nga trajneri Rajmon Domenek për të qenë pjesë e Francës në Euro 2008. Lojtari i ri i Milanit do të zëvendësojë Patrik Vieira, i cili pati një problem muskulor në kofshën e majtë.
16 logot në autobusët e finalistëve
Beteja për fitimin e titullit kampion të Euro 2008, nuk zhvillohet vetëm në fushë, por edhe në logot e mesazhet që mbajnë në trupin e tyre autobusët e 16 skuadrave finaliste. Logot janë shkruar në gjuhën e secilit vend pjesëmarrës. Gjiganti koreanojugor prodhimit të makinave “Hyundai” është edhe sponsori zyrtar i Euro 2008. Ja dhe 16 logot që ndodhet në autobusët e ekipeve kombëtare të zgjedhura pas një votimi nga tifozët e çdo vendi finalist.
AUSTRIA
“Vetëm së bashku ne mund të fitojmë’
KROACIA
“Me tifozët në majë të Europës”
ÇEKIA
“Le të shkojmë, le të fitojmë, të përmbushim ëndrrën e kombit tonë”
FRANCA
“Jetojmë së bashku, festojmë së bashku”
GJERMANIA
“Gjermani – një ekip – një qëllim”
GREQIA
“Një ekip, një ëndërr”
HOLANDA
“1 mision, 1 ndjenjë, së bashku jemi portokalli”
ITALIA
“Qielli është gjithmonë blu”
POLONIA
“...sepse vetëm sporti dhe mirësia llogaritet”
PORTUGALIA
“Ky trajner drejtohet nga Dëshira për të fituar”
RUMANIA
“Rumani, ne jemi krenar dhe të duam ty”
RUSIA
“Duart e Rusisë janë një për të gjithë! Rusia është krenare për bijtë e saj”
SPANJA
“Çfarëdo që të ndodhë, ne jemi gjithmonë spanjollë”
SUEDIA
“Skuadra suedeze, oh çfarë ëndrre”
ZVICRA
“Destinacioni final: Vjena”
TURQIA
“Çfarë pasioni turk përshtatet në këtë autobus”
“Rrethohet” Mozarti
Disa nga monumentet më të famshme në Austri do të rrethohen me gardhe gjatë finaleve të Euro 2008, duke bërë kështu të mundur sigurimin e tyre gjatë festimeve të tifozëve. Në Salzburg ndodhet monumenti i kompozitorit Mozart dhe përreth tij bashkia e qytetit ka ngritur një gardh ndalues për të shmangur dëmtimin, ndërkohë që policia ka instaluar një sistem kamerash vëzhgimi.
ULTRASIT- Tifozët problematikë, ata të skeduar më një të kaluar të dhunshme, nuk do ta kenë të lehtë të hyjnë në Austri gjatë gjithë periudhës së finaleve të Euro 2008. Vendi organizator pezulloi marrëveshjen “Shengen” me vendet e treta, duke vendosur kontrollin e dokumenteve në kufi. Pezullimi parakupton ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve europianë brenda Bashkimit Europian, me qëllimin e vetëm për të parandaluar hyrjen në vend të tifozëve të dhunshëm. Në aeroportin e Shvehatit pranë Vjenës është instaluar një terminal i tretë për avionët çarter që do të sjellin tifozët.
“Djajtë e kuq”, më të mirët
Mançester Junaitid vazhdon të jetë ekipi më i mirë në botë për periudhën 1 qershor 2007 deri më 30 maj 2008. IFFHS, Instituti Botëror i Historisë dhe Statistikave të Futbollit, ka nxjerrë të parin klubin britanik. Me 286 pikë “Djajtë e kuq” lënë pas, argjentinasen Boka Junior (267), ndërkohë që Çelsi (258) ka zbritur një vend dhe tashmë ndodhet në vendin e tretë. Barcelona (257) e Bajerni i Munihut (252) ndajnë vendet 4-5. Roma, skuadra më mirë italiane ndodhet në vendin e shtatë. Vendi i dhjetë për Interin, ndërkohë që Milani ndodhet në të 17-in.
Erikson largohet në paqe
Ndarje më mirëkuptim midis Mançester Sitit dhe trajnerit Sven Goran Erikson. Klubi në pronësi të ish-kryeministrit tajlandez Taksin Shinavatra dhe trajneri suedez e lajmëruan ndarjen në një komunikatë të përbashkët. Erikson kishte firmosur një kontratë katërvjeçare por puna e tij në krye të klubit britanik zgjati vetëm një vit. Si pasues i mundshëm qarkullon emri i Mark Hugues, trajneri aktual i Bllekbërnit.
Arrestohet presidenti e lojtari
Polemika në Brazil për ndërhyrjen e ashpër të policisë gjatë një ndeshje të kampionatit. Agjentët përdorin spraj paralizues në takimin Botafogo-Nautiko, ku dhe arrestuan më pas një lojtar, i cili më parë ishte ndëshkuar me karton të kuq, pas një grindje për shkak të një faulli. Ndeshje u ndërpre për 12 minuta, ndërsa mbrojtësi i Botafogos u largua me forcë nga rreth 10 agjentë. Edhe presidenti i këtij klubi u arrestua, por u la i lirë më pas.
3 Qershor 2008