E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmendet” merkato, Hyka për 1.8 milionë euro te Mainc



Jahmir Hyka është një lojtar i skuadrës gjermane të Bundesligës 2, Maincit. Ish-mesfushori i Tiranës nënshkroi një kontratë katërvjeçare për në shifër prej 1.8 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga menaxheri i lojtarit Sokol Haxhiaj. Kjo do të jetë eksperienca e tretë ndërkombëtare për fantazistin e talentuar të Kombëtares, pas atyre me Rozenborgun në Norvegji dhe me të rinjtë e Olimpiakos në Greqi. 20-vjeçari u kërkua me forcë nga presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, por i “përkëdheluri” i dy trajnerëve të fundit të Kombëtares, kroatit Oto Bariç dhe holandezit Ari Han. Edhe në ndeshjen e fundit të përfaqësueses Shqipëri-Poloni (0-1) në Reutlingen të Gjermanisë, lojtari që fillimet e tij sportive i ka te Dinamo e Tiranës, shkëlqeu duke befasuar menaxherët e shumtë gjermanë. Hyka u kërkua të paktën nga dy ekipe gjermane: Mainc me të cilin përfundoi edhe skuadra tjetër e Munihit, 1860 Munih.
SUKAJ- Edhe sulmuesi i Vllaznisë, 20-vjeçari Xhevair Sukaj do të testohet në një tjetër klub gjerman, Koblenc, atje ku luajnë edhe Fatmir Vata, Njazi Kuqi e Adrian Gjokaj. Lajmi bëhet i ditur nga menaxheri i futbollistit, Rudi Vata. Trajneri Uve Rapolder ka parë disa pamje filmike nga ecuria e Sukaj, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë me përfaqësuesen U-21 gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian dhe ka dhënë pëlqimin e tij për të parë nga afër shkodranin. Klubi i Bundesligës 2 ka dërguar edhe ftesën në ambasadën gjermane në Shqipëri për ta pajisur në mënyrë urgjente lojtarin e ri.
BAKAJ – Pista gjermane duket se është dhe pikësynimi i futbollistëve të talentuar të kampionatit shqiptar. Edhe mesfushori i avancuar i Partizanit, Elis Bakaj është përfolur për një testim te Borusia e Dortmundit. Për lojtarin e ri të Kombëtares po kujdeset një kompani austriake.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›