Ligji pengon Presidentin

Presidenca e Kosovës është shumë e rezervuar të shpjegojë arsyet që çuan në shtyrjen e nënshkrimit të emrave për gjyqtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës. Zyrtarët e këtij institucioni, përveç që tregojnë se emërimi pritet të bëhet në muajin janar, nuk duan të japin asnjë sqarim shtesë. Por, burime të Expressit nga ky institucion shpjegojnë arsyet që e kanë shtyrë presidentin Fatmir Sejdiu ta anulojë ceremoninë e emërimit të gjyqtarëve, e planifikuar për të enjten.
Sipas këtij zyrtari, në mesin e emrave është përzgjedhur edhe Nesrin Lushta, e cila aktualisht është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Në rast se Presidenti do të bënte nënshkrimin e emrave të enjten, atëherë Nesrin Lushta duhet të jepte dorëheqje nga posti i kryetares së KQZ-së”, shpjegon ky zyrtar për Express. Në fakt, në Ligjin për zgjedhjet, përveç shumë ndalimeve që i janë bërë, është e shkruar shumë qartë se kryetari i KQZ-së apo anëtarët e tij nuk mund të mbajnë ndonjë post tjetër publik.
Në këtë rast, emërimi në detyrë si gjyqtare e Gjykatës Supreme do të binte menjëherë ndesh me postin si kryetare e KQZ-së, ashtu siç është paraparë në nenin 60 të Ligjit për Zgjedhjet. Në këtë nen, saktësisht pika 61.7, paragrafi (e) thuhet se “personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së, nëse është zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”. Në këtë rast para presidentit kanë qenë dy zgjedhje. E para të emërojë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, por të hapë telashe me KQZ-në, apo të zvarrisë konstituimin e Gjykatës Supreme.
“Presidenti vendosi për zgjedhjen e dytë, pasi KQZ-ja ka ende punë të papërfunduara”, thotë ky zyrtar për Express. Ndërkohë, në këto ditë pushimi për shkak të festive ka qenë e pamundur të kontaktohen zyrtarë të Presidencës për të dhënë shpjegime më të hollësishme. Krejt çfarë kanë deklaruar zyrtarët e këtij institucioni është se shtyrja e ceremonisë se emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme ka ndodhur për shkaqe objektive.
“Ceremonia e dekretimit është shtyrë për shkaqe objektive”, ka deklaruar për media Korab Sejdiu, këshilltar ligjor i presidentit Fatmir Sejdiu. Përndryshe, në një deklarim të para disa ditëve, ky zyrtar pat thënë për Express se dekretimi i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe betimi që ata do të japin para Presidentit do të përfundojë para mbarimit të këtij viti kalendarik.
Kandidatët
Javë më parë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dorëzuar emrat për gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe Zyrën e Prokurorisë Publike , Presidentit të vendit Fatmir Sejdiu. Janë gjithsej 25 emra, prej të cilëve mungojnë kandidatët nga minoritetet.
Ligji
Neni 61.8
Personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së nëse është:
a) deputet i Kuvendit të Kosovës;
b) këshilltar i ndonjë kuvendi komunal në Kosovë;
c) kandidat për ndonjë post të zgjedhur publik në Kosovë;
d) deputet përfaqësues i ndonjë kuvendi të zgjedhur publikisht jashtë Kosovës;
e) zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike;
f) anëtar i komisionit publik zgjedhor brenda ose jashtë Kosovës;
g) anëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës;
h) pjesëtar i ndonjë force policore ose ndonjë organi të ngjashëm;
i) person pa të drejtë vote në Kosovë;
j) person që është duke e vuajtur dënimin e shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për
ish-Jugosllavinë ose person që është paditur nga Tribunali dhe nuk e ka respektuar urdhrin që
të paraqitet para tribunalit;
k) anëtar i organizatës jo-qeveritare që i monitoron zgjedhjet; etj