E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresion për festë

Kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë para se fishekzjarrët të zbardhin qiellin, për të shënuar hyrjen në vitin 2010. Përkundër këtij fakti, atmosfera festive shumë pak vërehet në sheshet e kryeqytetit. Me sa duket, këtë vit, festën e ndërrimit e mot-moteve Prishtina do të presë në zymtësi dhe me shkëlqim të paktë të dritave e zbukurimeve festive. Për këtë, kryeqytetasit thonë se fajin e kanë institucionet e vendit, që sipas tyre, as në këtë ditë të veçantë askush nuk çan kokën për qytetarët.

“Kjo pamje është shumë depresive për ne. Nuk ke ku të dalësh me fëmijët e të shohësh diçka të mirë. Janë pak rrugë të zbukuruara, nuk është si në vitin e kaluar, kur ka qenë shumë më mirë. E vetmja gjë që të kujton ardhjen e Vitit të Ri është zhurma e madhe që shkaktohet nga petardet dhe muzika tallava që lëshojnë dyqanet”, thotë nëna e dy fëmijëve, Edona.

Në anën tjetër, përgjegjësit për rregullimin e Prishtinës, zyrtarët komunalë, ankohen se nuk kanë pasur ndihmë nga bizneset e mëdha për të zbukuruar sheshet kryesore të Prishtinës. Ndërsa për të zbukuruar vetë thonë se nuk ka buxhet të bollshëm. “Sikurse edhe në vitet e kaluara, Komuna e Prishtinës ka pasur strategjinë e vet për planifikimin e dekorimin e qytetit me rastin e festave të fundvitit. Në kuadër të këtij projekti, ne i jemi drejtuar të gjitha kompanive biznesore të cilat veprojnë në Prishtinë, sidomos atyre të cilat krijojnë përfitime të mëdha nga komuna e Prishtinës siç janë bankat edhe kompanitë telefonike. Kësaj kërkese i është përgjigjur vetëm banka ProCredit dhe banka TEB”, thotë drejtori i Departamentit të Kulturës në KK të Prishtinës, Mustafë Halili.

Ai bën të ditur se banka ProCredit ka marrë përsipër të dekorojnë qytetin nga hoteli Grand e deri te semaforët kryesorë dhe banka TEB, e cila do të dekorojë rrugën ‘Agim Ramandani’, duke filluar nga Parlamenti i Kosovës e deri te Fakulteti Juridik. “Vetëm këto dy banka e kanë kryer obligimin e tyre sipas marrëveshjes. Asnjë bankë vendore, as Banka Ekonomike as bankat BPB dhe NLB nuk kanë qenë të gatshme që të bëjnë zbukurimin e asnjë pjese të qytetit “, shtoi Halili, duke thënë se nuk i di motivet për këtë refuzim të bashkëpunimit.

Megjithatë, në momentet e fundit komuna e Prishtinës ka marrë vendimin që vetë të bëjë dekorimin festiv. Për të kryer këtë punë, thuhet se Komuna ka paguar 25 mijë euro duke angazhuar kompaninë “El Monten Trade”. “Pak me vonesë ne na është dashur të përvjelim mëngët dhe me forcat tona ta stolisim qytetin ashtu si dimë dhe mundemi vetë. Ne kemi hapur tenderin dhe atë e ka fituar kompania “El Monten Trade”. Ajo ka marrë përsipër që ta dekorojë pjesën nga Parlamenti i Kosovës deri te Hotel Grandi. Në këtë kemi shpenzuar 25 mijë euro”, tha drejtori Halili.

Sa i përket organizimit të natës së 31 vjetorit, Halili thotë është përgatitur programi artistik ashtu siç është bërë edhe në vitet e fundit. Ai thotë se tenderin prej 18 mijë eurosh e ka fituar Ansambli Universitar i Prishtinës.

Në këtë natë, sipas zyrtarëve komunalë, në sheshin Nëna Terezë do të ketë program artistik për fëmijë e të rritur, i cili do të zgjatë nga ora 13 deri në orën 1 e 30 të 1 janarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›