E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi për të moshuarit, detyrim i përhershëm...

Të moshuarit janë ai grupim social, përkujdesi për të cilët nuk është kurrë i tepërt. Duke i cilësuar si një pasuri për shoqërinë tonë tek ata të gjithë ne identifikojmë jo vetëm kujtesën kulturore dhe historike të një populli, por dhe një burim aktiv energjish bartëse të përvojave, të cilat vetë shoqëria duhet t‘i shfrytëzojë në dobi të saj.

Duke u nisur nga kjo, një ndër sfidat e kohës sonë, një tregues i rëndësishëm i modernitetit të shoqërisë dhe një ndër standardet e qytetërimit, mbetet trajtimi dhe vlerësimi i kësaj grupmoshe. Nevojat për kujdes social për të moshuarit janë gjithnjë në rritje. Detyrë e familjes, politikave shtetërore të përkujdesit social dhe të komunitetit është krijimi i kushteve e mundësive sociale që ata të jetojnë me dinjitet moshën e pleqërisë. Kjo moshë nuk është e tepërt dhe barrë për shoqërinë, por pjesë integrale e jetës së njeriut dhe e detyrimit social të saj.

Ndonëse në vijim konstatohet një numër në rritje i personave me moshë të rritur e me kushte psikofizike të mira, ekzistojnë edhe raste në të cilat i moshuari gjendet në një gjendje të dobët fizike e psikologjike. Mbrojtja e dinjitetit dhe të drejtave të tij kërkon një vëmendje më të madhe nga të gjithë qytetarët.

Në traditën tonë të moshuarit janë respektuar për autoritetin, mençurinë dhe përvojën që na japin, por ndodh që ata edhe neglizhohen, përjashtohen, braktisen e paraqiten si rëndesë për ekonominë familjare.

Ndonëse rritja e popullsisë në sensin moshor është e pashmangshme, çdo shoqëri ka nevojë për solidaritet brezash, që të rilindë integrim dhe jo përjashtimin social. Në përballjen e dijeve e përvojave, mënyra se si secili grup e trajton tjetrin, luan rol të rëndësishëm në ekuilibrat socialë të shoqërisë.

Sfida globale e mijëvjeçarit, deklarata e Madridit për "Moshimin" dhe politikat sociale të qeverisë për kujdesin ndaj tyre, na detyrojnë që të kemi më shumë kujdes, vëmendje sociale dhe kushte optimale për një pleqërim dinjitoz.

Politikat e qeverisë, strategjia e përkujdesit social të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë vënë para strukturave të Shërbimit Social Publik, privat dhe joqeveritar detyrën e përballimit dhe zbutjes së problemeve sociale e shëndetësore që përjetojnë të moshuarit në nevojë, rritjen e cilësisë së shërbimit në institucionet rezidenciale specifike që trajtojnë të moshuarit, modernizimin dhe ndryshimin e kushteve të jetës, përmirësimin e cilësisë së standardeve të shërbimit, trajtimin e tyre në kushte sa më të mira dhe të ngjashme me ato të familjes biologjike etj. Në politikat e shtetit dhe punën e Shërbimit Social Shtetëror ka qenë prioritare zgjerimi i rrjetit të institucioneve dhe shtimi i kapaciteteve të shërbimit për të moshuarit në nevojë.

Mirëqenia dhe shëndeti i të moshuarve varet nga zgjedhja e llojit të shërbimit (në qendra rezidenciale, komunitare apo në shtëpi), si edhe cilësia e shërbimeve që ofrohen në përputhje me nevojat e tyre. Në zbatim të direktivave të OKB-së për moshimin, në politikat tona sociale për të moshuarit mbështetemi në tre objektiva kryesorë: përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve dhe lehtësimin e familjeve nga një pjesë e ngarkesës së tyre kur ata kujdesen për të moshuarit; realizimin e ekonomisë së shpenzimeve; zëvendësimin e formave të shërbimeve të kujdesit në qendra rezidenciale apo spitalore me shërbime në familje.

Kujdesi në familje përbën avantazh, pasi kursen shpenzimet e tepërta, ofron shërbime ndaj të moshuarit, siguron qëndrimin e të moshuarit në ambientet e tyre të jetesës, kufizon burimet ekonomike që do të përdoreshin në rastet e vendosjes në qendrat rezidenciale etj. Përvoja ka treguar se të moshuarit ndihen më mirë në ambientin familjar, social dhe kulturor, pranë komunitetit ku ata jetojnë. Shërbimet në komunitet kanë treguar se janë më eficent, kanë kosto më të ulët, ofrojnë afërsi për përfituesit, të cilët ndihen më të vlerësuar në komunitet dhe me njerëzit.

Në këtë kuptim ka një rritje të dukshme në tipologjitë e shërbimit për moshën e tretë. Tashmë mund të themi se sistemi i përkujdesit social për të moshuarit nuk është më i bazuar vetëm në kujdesin që tregojnë institucionet publike, por edhe ato private dhe sidomos tani që është rritur forca sociale shtesë e shoqërisë civile. Po zbatohet një politikë liberale, nxitëse dhe favorizuese për të gjithë aktorët socialë të shoqërisë civile që kanë kapacitete, që janë të licencuar dhe që respektojnë standardet kombëtare të shërbimit social për të ngritur shërbime në të gjithë vendin, aty ku janë nevojat, në bashkëpunim me pushtetin vendor. Kjo është e reja që ka sjellë shërbimi për të moshuarit kohët e fundit dhe që me siguri do të ketë ndikime pozitive në zgjerimin dhe përmirësimin e përkujdesit për ta.

Megjithatë, në këtë Ditë të Moshës së Tretë, si drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror dhe si qytetar i këtij vendi më duhet të them se shoqëria nuk mund të besojë dhe të shpresojë se zgjidhja e problemeve të të moshuarve dhe kujdesi për ta mund të zgjidhet me institucione sociale. Sado moderne që t‘i bëjmë ato, është e pamundur që ato të zëvendësojnë familjen biologjike, këtë vatër të ngrohtë, për të cilën ka aq shumë nevojë i moshuari në këtë pjesë të jetës së tij. Nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim për faktin që një pjesë të kostos së "familjes moderne" "njëbërthamore" po shkarkohet padrejtësisht mbi të moshuarit, pikërisht në këtë etapë të moshës kur ata kanë nevojë më shumë se kurrë për kujdesin e "bijve të tyre". Të moshuarit duhet të kenë bashkërisht kujdesin e familjes, dorën e ngrohtë të shtetit dhe kujdesin e veçantë të komunitetit e të shoqërisë civile. Kjo është sfida e madhe, të cilën nuk duhet ta kujtojmë vetëm më 1 Tetor, në ditën ndërkombëtare të të moshuarve, por çdo ditë.

Mihal Naço

Drejtor i Përgjithshëm i SHSSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›