E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Duhet të ndryshojmë strategjinë në Afganistan

E ardhmja e luftës në Afganistan ishte çështja kryesore që Presidenti Obama diskutoi dje me këshilltarët më të lartë politikë dhe ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë. Shefi i komandës qendrore, David Petraeus, nënpresidenti, sekretari i Mbrojtjes, sekretarja e Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Obama për këtë zonë u mblodhën vetëm një ditë pasi ai u takua me kreun e Aleancës së Atlantikut Verior, Anders Fogh Rasmussen. "Afganistani nuk është një betejë amerikane, por një mision i vetë NATO-s", pati deklaruar Obama. Takimi me Anders Fogh Rasmussen, shënoi momentin e fillimit të një procesi vendimtar për dërgimin e trupave shtesë në luftën kundër talebanëve, aleatë të "Al Kaedas". Gjenerali Stanley McChrystal, udhëheqësi më i lartë ushtarak amerikan në Afganistan,

kërkoi të pakën 30-40 mijë trupa shtesë në një letër dërguar Obamës dhe vendeve aleate të NATO-s. Raporti i McChrystal ishte terreni mbi të cilin Obama, Rasmussen dhe këshilltarët e tij do të punojnë për rishqyrtimin e strategjisë në Afganistan. "Të dy jemi dakord mbi faktin se Afganistani është misioni më i rëndësishëm i NATO-s, i nevojshëm për të shkatërruar "Al Kaeda" dhe për t‘u siguruar afganëve qetësinë e nevojshme", i tha Obama Rasmussen-it. Të njëjtat mendime me Presidentin amerikan duket se ndante edhe kreu i NATO-s: "Afganistani nuk është një barrë që peshon vetëm mbi Amerikën, bëhet fjalë për një sforcim të përbashkët, për të cilin të gjithë jemi përgjegjës. Më parë do të përcaktojmë strategjinë e re dhe pastaj shifrat që na nevojiten për ta realizuar". Obama e Rasmussen ranë dakord për një "kthesë strategjike" mbi bazën e së cilës do t‘u kërkohet vendeve të caktuara të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut Verior "kështu nuk mund të ecet përpara, nevojitet një ndryshim i madh". Pas takimit me Presidentin Obama, udhëheqësi i NATO-s, Rasmussen tha se është i bindur se suksesi në Afganistan do të arrihet.

"Kjo aleancë do të qëndrojë e bashkuar dhe ne do të qëndrojmë në Afganistan për sa kohë duhet për të përfunduar punën tonë".

Takimi i Presidentit Obama me sekretarin Rasmussen dhe këshilltarët e tij është një prej një serie takimesh mbi strategjinë në Afganistan që po zhvillohen këtë javë dhe do të zhvillohen gjatë javëve të ardhshme. Tani duhet parë se sa trupa shtesë është i gatshëm të dërgojë Obama dhe për rrjedhojë sa duhet të dërgojnë aleatët, shumë prej të cilëve janë në dyshim përballë këtij fakti. Me thënien se "Afganistani nuk është një betejë vetëm amerikane, por një mision i vet NATO-s", Obama ka lënë të kuptohet se shumë shpejt aleatët do t‘u duhen t‘u përgjigjen pyetjeve të vështira.

Kështu në tetor, administrata amerikane pas "Ok" nga Kongresi do të njohë partnerët e koalicionit me kërkesat për dërgimin e trupave dhe mjeteve shtesë në këtë rajon. Lajme të mira për Uashingtonin vijnë nga Londra, ku Kryeministri britanik ka premtuar 1000 trupa shtesë, po ashtu edhe nga Berlini ku SPD kërcënonte se nëse do të fitonte, do të tërhiqte të gjitha trupat gjermane. Do t‘i takojë ministrit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, misioni delikat për të shqyrtuar kërkesat e gjeneralit McChrystal

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›