E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si merret vërtetimi i pronësisë në Gjykatë

Zbardhen procedurat për njohjen apo saktësimin e kufijve të pasurisë së paluajtshme. Vendimi i Gjykatës është automatikisht i zbatueshëm për zyrat e hipotekave

Laureta Rryçi

Tiranë - Një nga problemet që hasin çdo ditë pronarët është njohja ose saktësimi i kufijve të pronës. Për të qenë të qetë edhe nga ana ligjore, shumë prej tyre për këtë problem detyrohen t’i drejtohen gjykatës për të marrë një vërtetim pronësie. Ky vendim jo vetëm që u shërben për të ditur një herë e mirë kufijtë, por është shumë i vlefshëm edhe në rastet kur duan të kryejnë veprime të ndryshme me pronën të cilën pretendojnë se është e tyre. Vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për zbatim për të gjithë specialistët e zyrave të hipotekës, të cilët do të përballen me kërkesat e qytetarëve. Gazeta “Albania” zbardh procedurën që ndiqet në gjykatë për të marrë këtë vërtetim dhe afati kohor sa zgjat ky proces civil.
Padia
Nëse ke probleme me kufijtë për pronën, atëherë duhet t’i drejtohesh gjykatës me një padi civile ku objekti duhet të jetë: Vërtetim pronësie. Duke marrë shkas nga paditë e depozituara në Gjykatën e Tiranës bie sy fakti që të tilla padi depozitojnë ata persona që kanë probleme me anëtarët e familjes në momentin kur ndajnë pronën ose me fqinjët e tyre të cilët shpesh herë qoftë edhe për një metër tokë nuk lëshojnë pe. Padia, pasi kalon procedurat e zakonshme në sekretarinë e gjykatës, përcaktohet me short elektronik se cili gjyqtar i dhomës civile do ta gjykojë atë. Të tilla padi gjykohen vetëm me një gjyqtar dhe është ky i fundit që përcakton ditën se kur do të nisë procesi nga momenti kur padia është regjistruar në gjykatë.
Kostoja
Deri tani janë depozituar rreth 250 padi për vërtetim pronësie. Sipas të dhënave në Gjykatën e Tiranës në padi shfaqen dy palë në konflikt për pronën, ose njëra palë ka padit një institucion vendor që nuk ia njeh pronën me kufijtë që pronari pretendon. Por kas dhe nga ato raste, kur pronarët i drejtohen gjykatës për vërtetim pronësie vetëm për të bërë regjistrimin më pas në zyrat e hipotekës. Sipas burimeve zyrtare të kësaj gjykate, një çështje e tillë zgjat më shumë se 500 ditë vetëm në Gjykatë. Këto procese kanë edhe një kosto për të gjithë ata që depozitojnë një padi të tillë. Pala paditëse ka si detyrim të paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore në këtë proces. Në këto shpenzime koston më të lartë e kanë ekspertët të cilët me urdhër të gjykatës shkojnë dhe verifikojnë kufijtë për të cilët është ngritur pretendimi. Akti i ekspertimit i formuluar prej tyre është shumë i rëndësishëm për gjyqtarin që do të japi vendimin. Ekspertë paguhen nga 50 mijë lekë të reja e lart duke qenë se varet për sa tokë bëhet fjalë për t’u përfshirë në aktin e ekspertimit.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›