E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtim Gjonaj sjell “Ëndrrën e Çamërisë”



Një film homazh për dhimbjen, lotët dhe gjakun. “ëndërra e çamërisë”, një produksion i shtëpisë filmike dhe të librit “Bota shqiptare”, shfaq premierën nesër në orën 19.00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Filmi i kushtohet kësaj tragjedisë çame, shpërnguljes së dhunshme të popullsisë nga trojet e veta, por edhe së kaluarës së kësaj krahine, figurave të njohura historike, që kanë dalë prej saj, për të ardhur deri tek amanetet e një brezi që po shuhet, që përjetoi tragjedinë dhe po largohet pa përmbushur një ëndërr të madhe, atë të të prekurit edhe një herë tokën amtare. Dokumentari sjell vende, njerëz dhe histori. Janë intervistuar mbi 100-120 vetë. Janë dëshmitarë të gjallë që jetojnë në Shqipëri, një pjesë janë realizuar në Amerikë ku ka një komunitet të madh shqiptarësh çamë, në Detroit, në Nju Jork dhe në Filadelifa. Të tjerë janë takuar në Greqi. Janë të moshuar, që jo vetëm mbajnë mend tragjedinë e shpërnguljes, por që kanë ruajtur traditat dhe zakonet shqiptare. Dokumentari mban regjinë e Kujtim Gjonajt dhe mbështetet mbi skenarin e Kushit. Operator është i mirënjohuri Garvosh Haxhihyseni, konsulent Mentor Nazarko, montazhier Lulzim Sula dhe producent Gent Gjonaj. Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare Kinematografike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›