E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori i Bankës Greke: Do ta kalojmë vetë krizën



Guvernatori i Bankës Qendrore greke, Jorgos Provopoulos, deklaroi dje se Greqia do ta tejkalojë krizën e madhe buxhetore me forcat e veta. Provopoulos tha se politika e shitjes së bonove të Greqisë ka treguar se Athina mund t’i rrisë fondet e saj sipas nevojave të tregut financiar. “Skenari, sipas të cilit për Greqinë është i domosdoshëm intervenimi i huaj, nuk do të ndodhë”, pohoi Provopoulos për edicionin gjerman të “Financial Times”. Sipas tij, masat e guximshme të qeverisë greke për zvogëlimin e borxheve do të japin rezultatet e dëshiruara. Bankieri i parë grek e vuri theksin në emetimin e suksesshëm të letrave me vlerë, me të cilat Qeveria i mblodhi mjetet e domosdoshme për tejkalimin e krizës. Ekspertët në tregjet financiare po vëzhgojnë nga afër, nëse populli grek do të arrijë t’i pranojë masat e ashpra të Qeverisë së Papandreut për të ulur borxhin e deficitit buxhetor, apo do të dalë në protesta më të ashpra. Nëse Greqia do të ketë nevojë për ndihmë, guvernatori Provopoulos e kundërshtoi idenë që vendi t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Greqia është pjesë e familjes së euros dhe nëse do të jetë e nevojshme ndihma, kjo do të jetë një punë që do t’i përkasë eurozonës”, tha ai. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi premtoi të dielën, pas takimit me Papandreun, se vendet e eurozonës do ta ndihmonin Greqinë, nëse problemet e saj financiare do të përkeqësoheshin dhe u angazhua për të goditur spekulatorët që grekët fajësojnë për gjendjen e tyre. “Aktorët kryesorë të skenës evropiane janë të vendosur të bëjnë çfarëdolloj veprimi që nevojitet për të siguruar se Greqia nuk është e izoluar”, siguroi ai. Ndërkohë Papandreu ka mbërritur në Uashington, ku po përpiqet të nxisë zyrtarët amerikanë të hetojnë spekulimet në tregje me monedhën euro, që po ndikojnë në rritjen e kostos së borxhit për Greqinë. Ofertat për borxhin dhjetëvjeçar të Greqisë kanë arritur në 6.3 për qind interes, dyfishi i përqindjes që paguan Gjermania. Papandreu tha se është thelbësore për Evropën që të mbështesë Greqinë dhe tha se kërkesat për mbështetje nuk kanë të bëjnë me “nxitimin për ndihmën ndaj një vendi të pakujdesshëm, përkundrazi, kërkojmë të qëndrojë në krah të Greqisë dhe të bëjë reforma të thella dhe të përgjegjshme, në interes të Evropës në tërësi”. Mbrëmë Papandreu u takua me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton kurse sot pritet të takohet me Presidentin Barak Obama, ku ai planifikon të japë një nxitje për rigjallërimin e ekonomisë dhe bashkëpunimin mes sy vendeve. Kryeministri grek do të takohet gjithashtu edhe me sekretarin amerikan të Thesarit, Timoti Geithner.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›