E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet dimri në Korçë



KORçE - Reshjet e dëborës kanë rikthyer një situatë dimri në rajonin e Korçës, duke bllokuar e sjellë probleme në qarkullim në disa zona të saj. Problematike paraqitet gjendja në disa rrugë, sidomos në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë, ku trashësia e dëborës mbi 10 centimetra ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Edhe në superstradën Korçë-Kapshticë dje qarkullimi i mjeteve bëhej me shumë vështirësi. Megjithatë në këtë aks rrugor nacional si në rrugët e tjera kryesore është ndërhyrë gjatë natës për pastrim dhe hedhjen e kripës. Në pjesën e superstradës Korçë-Kapshticë midis fshatrave Plasë dhe Cangonj, nga krijimi i ngricave në rrugë ka qenë edhe më problematik qarkullimi i makinave, sidomos në orët e paradites. Ndërkaq, rikthimi i një moti të ftohtë me reshje dëbore e ka vështirësuar edhe më tej gjendjen në fshatin Laktesh të komunës së Velçanit në rrethin e Pogradecit. Në këtë fshat ku ka rrëshqitje toke dhe dëmtim të banesave, banorët janë detyruar të kalojnë natën në çadra në kushtet e një moti me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta. Vështirësi për lëvizjen e mjeteve janë ndier në rrugët që lidhin Korçën me disa qendra komunash e fshatrash si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi e Moglica, ku trashësia e dëborës është edhe më e madhe deri në 30 centimetra. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›