E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kathryn Bigelow 6 “Oskar” për filmin e luftës



alma mile

Një natë dështimi për “Avatar” në Teatrin “Kodak” dhe triumfi për Kathryn Bigelow. Pas shumë pritjesh dhe hamendjesh, mbrëmjen e së dielës u shpallën më të mirët e kinematografisë hollivudiane. Në të vërtetë, surprizat ishin të pakta. Fituesit ishin paracaktuar. Në duelin mes dy ish-bashkëshortëve, çka e bëri edhe më interesante dhe më të përfolur këtë garë, ishte gruaja, ajo që triumfoi. Kështu, siç pritej, filmi i James Cameron, i ardhur natën e “Oskar”-ve, si pretendenti kryesor me 9 kandidatura, është thyer në kategoritë më të rëndësishme nga “The Hurt Locker”, një film që ka kushtuar shumë pak financiarisht, për standardet hollivudiane. Filmi i Kathryn Bigelow, ish-bashkëshortja e Cameron ka merituar statuetën për filmin dhe regjisorin më të mirë, duke i lënë Cameron-it, çmimet më teknike, si ato për skenografinë më të mirë, fotografinë dhe efektet speciale. “The Hurt Locker” ka fituar gjashtë trofe, duke përfshirë edhe ato për skenarin origjinal, montazhin, efektet sonore dhe miksimi sonor. Megjithatë gjithçka pritej. Fitorja e Bigelow-t ishte parashikuar tanimë prej trofeve të marra në të tjera gara filmike prestigjioze, si “Golden Globe”, apo “Bafta”, që quhen si “paradhoma” e çmimeve “Oskar”. “The Hurt Locker” u prezantua pa shumë bujë në vitin 2008 në Festivalin e Venecias. Ishte një moment, kur lufta në Irak ishte ende një tabu për Hollivudin. Filmi tregon historinë e një skuadre ushtarake në Irak, detyra e të cilëve është çaktivizimi i minave të përgatitura nga guerrilasit irakenë.
“është dita më e bukur e jetës sime”, u shpreh Bigelow gjatë tërheqjes së trofeut nga duart e aktores Barbara Streisand. Duke shprehur kënaqësinë që ia doli në një garë mes emrave të njohur të regjisë, mes të cilëve edhe ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ka pasur edhe raste bashkëpunimi në kinematografi, ajo tha se ia dedikonte filmin e saj “të gjithë burrave dhe grave që mbajnë uniformën ushtarake në të gjithë botën. E jo vetëm ushtarëve, por edhe zjarrfikësve, të cilët janë gjithnjë gati kur na duhen”. Megjithatë “Avatarit” i mbetet vendi i parë për shumën e parave të mbledhura. Që prej premierës ka mbledhur më shumë se 2 miliard e gjysmë dollarë, duke u bërë kështu filmi me më shumë përfitime financiare në historinë e kinemasë. Gjithsesi, të dy filmat me shumicën e trofeve flasin për luftën. Bigelow në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa Cameron me anë të efekteve speciale fantastiko-shkencore. Përmes një planeti të sajuar, Pandorës dhe vendasve lëkurëblu, ai flet për politikat amerikane, qysh në krye të herës, deri tek luftërave më të fundit.
Të tjerë kandidatë për filmin më të mirë, ishin melodrama sportive “The Blind Side”, “Inglourious Basterds” i Quentin Tarantino, filmi vizatimor “Up” filmi fanstikoshkencor afrikanojugor, “District 9”, indipendenti “An Education”, “A serious man” i Joel dhe Ethan Coen” «Tra le nuvole»
Mes shumësisë së trofeve të ndarë në skenën e “Kodakut” u ndanë edhe ata të aktorëve më të mirë, që i merituan Sandra Bullock dhe Jeff Bridges. Intersant është fakti që Bullock, një natë më parë mori edhe një antiçmim, atë të aktores më të keqe në Golden Raspberry Awards, për interpretimin e saj në filmin «All About Steve».

Regjisorja e parë që fiton “Oskar”

Me shpatulla notareje dhe me gjatësinë e një lojtareje basketbolli, Kathryn Bigelow mbushi skenën e Teatrit “Kodak”. Ajo është e para grua në 82 vitet e historisë së çmimeve “Oskar”, që fiton këtë trofe në kategorinë e regjisorit më të mirë. I arritur gjithnjë nga regjisorët meshkuj, kjo kategori është dukur gjithnjë si një mollë e ndaluar për kineastet femra. Ia arriti me filmin e saj të tetë me metrazh të gjatë në gati 30 vitet e karrierës. “The Hurt Locker”, fitues i 6 “Oskar”-ve, kaloi gati në heshtje në Festivalin e Venecias në vitin 2008 dhe nuk pati ndonjë farë suksesi as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë 5 muajve shfaqje, arriti të mbledhë vetëm 13 milion dollarë, një shumë kjo që “Avatar” i fitonte në një ditë të vetme. Këto gjashtë trofe do të rrisin edhe gjykimin kritik mbi filmin, megjithatë kryevepra e Bigelow do të mbetet pa dyshim “Point Break”, ku tregohet historia e një grupi skafistësh që grabisin bankat e ku interpretojnë Patrick Swayze dhe Keanu Reeves.

çmimet Oskar 2010

Regjisori më i mirë
Kathryn Bigelow – “The Hurt Locker”
Aktori më i mirë
Jeff Bridges – “Crazy Heart”
Aktorja më e mirë
Sandra Bullock – “The Blind Side”
Aktori më i mirë dytësor
Christoph Waltz - Inglourious Basterds
Aktorja më e mirë dytësore
Mo’Nique – “Precious”
Skenari më i mirë i adaptuar
“Precious”
Skenari më i mirë original
“The Hurt Locker”
Filmi i animuar më i mirë
“Up”
Skenografia më e mirë
“Avatar”
Fotografia më e mirë
“Avatar”
Efektet speciale më të mira
“Avatar”
Montazhi më i mirë
“The Hurt Locker”
Kënga më e mirë origjinale
“The Weary Kind” – “Crazy Heart”
Filmi i shkurtër më i mirë
“Logorama”
Kostumografia më e mirë
“The Young Victoria”
Dokumentari më i mirë
“The Cove”
Filmi më i mirë i huaj
“The Secret in their Eyes” – Argjentinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›