Tre emigrantë vetëvriten, nuk mund të ktheheshin pas
Një familje emigrantësh në Skoci, të përballur me stresin e kthimit pas, janë hedhur nga kati i 15-të i një pallati të lartë. Incidenti ndodhi më 7 mars, në një lagje të njohur të Glasgout. Trupat e viktimave, një burrë, gruaja e tij dhe i biri ishin hedhur pasi kishin lëshuar një bufe nga ballkoni për të çarë tylin mbrojtës. Ata ishin lidhur të tre së bashku përpara se të hidheshin. Edhe pse identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike, banorët thanë se ata mund të jenë rusë apo kosovarë të cilët rrezikonin të përziheshin nga vendi. Ambasadori kosovar në Londër, Muhamet Hamiti konfirmoi se ata nuk ishin kosovarë. “Autoritetet britanike e konfirmojnë zyrtarisht se viktimat, për të cilët është dyshuar se ishin shtetas të Kosovës, nuk janë. Ne nuk e dimë se shtetas të kujt janë ata persona, por tani jemi të lumtur të njoftojmë se nuk bëhet fjalë për shtetas të Kosovës”, theksoi ambasadori. Ngjarja trondit sistemin e politikave të azilit në Britaninë e Madhe. Kompleksi i pallateve “Red Road”, ku ndodhi ngjarja, është përdorur kohët e fundit për të strehuar azilkërkues nga Kosova, Afrika, Azia, ish Bashkimi Sovjetik, Irani dhe Iraku. John Uilkes, shefi ekzekutiv i Këshillit të refugjatëve të Skocisë tha se “Ky është një incident tragjik, si për ata që janë të përfshirë ashtu edhe për komunitetin. Ndërsa nuk kemi asnjë të dhënë të saktë se përse ndodhi tragjedia, unë di të them vetëm se njerëzit që kërkojnë azil jetojnë shpesh shumë të tensionuar. Ata që kërkojnë azil në Skoci deklarojnë se janë larguar nga vendet e tyre pasi persekutoheshin dhe ushtrohej dhunë. Kur arrijnë synimin e tyre, ata më në fund qetësohen. Por në fakt shpesh duhet të përballen me një sistem burokratik të kërkesës për azil. Të kërkosh azil nuk është krim. Ata meritojnë të trajtohen me respekt dhe në mënyrë të drejtë gjatë procesit”, tha ai.