Një garë fotografie, fituesi në Milano
Qendra Ndërkombëtare e Fotografisë në Milano dhe bashkia e Milanos, shpall konkursin e fotografisë, ku ftohen të marrin pjesë të gjithë të rinjtë shqiptarë, që punojnë në fushën e fotografisë. Konkursi është pjesë e stinës së aktiviteteve “Italia e Albania 2010 - due Popoli, un Mare, un’Amicizia” ( “Italia dhe Shqipëria 2010- Dy popuj, një det, një miqësi”, e cila do të gjallërojë me shumë ngjarje pranverën shqiptare. Tema e konkursit fotografik është “Harmoni, kontraste dhe kontradikta në arkitekturat dhe në peizazhin e Shqipërisë së mijëvjeçarit të ri. ç’vështrim drejt së ardhmes dhe ç’kujtim prej së shkuarës?”. Të regjistruarit në konkurs do të marrin pjesë në një seminar që do të zhvillohet në Vlorë në datat 20-22 mars 2010 e ku do të marrin pjesë dhe një grup studentësh nga Milano, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve. Afati i fundit për të dërguar materialet e konkursit është caktuar data 23 prill 2010 dhe ceremonia e dhënies së çmimit do të zhvillohet në datën 30 prill në Pallatin e Kulturës, në Vlorë. Ekspozita fotografike do të hapet fillimisht në Vlorë, më tej në Lushnje dhe në muajt shtator-tetor edhe në Milano. Fituesit do t’i mundësohet pjesëmarrja në masterin në Fotografi dhe Visual Design 2010-2011, që organizohet në Milano dhe do t’i njihet një bursë studimi me vlerë monetare prej 1800 eurosh.