Pukë, orteku rrezikon udhëtarët
PUKë/ JONUZ HALLAçI
Orteku i borës bllokon 4 orë udhëtarët në Qafë-Mali. Rikthimi i dimrit të ashpër ka rrezikuar pasagjerët që tentonin të kalonin në këtë aks të vështirë të veriut të vendit. Qindra persona, por dhe mbi 120 automjete janë bllokuar në vendin e quajtur “Qafa e Plepit”, mes Ujit të Ftohtë dhe Qafë Malit, në zonën e Pukës. Megjithë ndërhyrjen e mjeteve borëpastruese dhe policisë rruga nuk është zhbllokuar deri në mbrëmje. Situata është rënduar me afrimin e mbrëmjes, kur temperaturat janë ulur më shumë, ndërsa pasagjerët nga Kukësi, por dhe Kosova janë detyruar të qëndrojnë në pritje të hapjes së rrugës. Shkak i bllokimit të rrugës ka qenë rënia e një orteku, i cili fatmirësisht nuk ka zënë poshtë ndonjë automjet. Rruga ka qenë e mbuluar me akull që një ditë më parë, por ndonëse me vështirësi mund të kalohej. Mjetet borëpastruese e kanë pasur të pamundur të hyjnë në vendin e rënies së ortekut, si pasojë e bllokimit të rrugës dhe nga automjetet e rënda. Forca të shumta të policisë janë përpjekur të qetësojnë udhëtarët e përfshirë nga paniku. Orteqet në këtë pikë kritike të rrugës kanë nisur të bien në tre vitet e fundit, sidomos pas djegies masive të pyjeve sipër rrugës. Nga shpati i malit kanë rënë dhjetëra metër kub dëborë, e cila është përforcuar dhe nga era e fortë dhe reshjet që kanë vazhduar gjatë gjithë kohës. Përveç orteqeve janë dhe automjetet e rënda që mbeten të kryqëzuara në rrugë dhe bëjnë të pamundur ndërhyrjen për zhbllokimin e tyre. Edhe më parë kalimi në këtë aks ka qenë i pamundur pa zinxhir. Gjatë natës dhe ditës së djeshme era e fortë ka sjellë dëborë në rrugë, e cila e ka gjetur asfaltin të mbuluar nga akulli. Në fakt, në këtë segment rrugor që administrohet nga ndërmarrja e rrugëve të Pukës vazhdimisht ka probleme, duke iu shtuar këtu dhe fakti që forcat e policisë nuk ndalojnë që në Fushë-Arrëz automjetet e rënda kur ka reshje të dendura bore. Këto mjete, pasi ngjiten në majën e malit bllokojnë rrugën dhe e bëjnë atë të pakalueshme. Ndërkohë, pjesa nga Kukësi deri në Qafë Shllak ka qenë e kalueshme, por edhe këtu duhej përdorimi i zinxhirëve. Situatë e rëndë në rrugë ka qenë jo vetëm në Qafë-Mali, por dhe në akset e tjera rrugore që lidhin Kukësin me Dibrën, rrugë që është e bllokuar, por dhe rrugët rurale Kukës-Arrën, Kukës-Zapod, Kukës-Kalis, si dhe rruga nacionale Kukës-Shishtavec që ka qenë e kalueshme vetëm për disa orë. Thuajse e pakalueshme ka qenë rruga Bajram Curri-Qafë Mali. Autoritet vendore thonë se po punojnë për mbajtjen nën kontroll të situatës, por nëse vijon një mot i tillë i ftohtë dhe me reshje, atëherë priten vështirësi në furnizimin me drita dhe ujë të pijshëm.