E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtim Prodani & Pirro Çako live nën yje

Janë të dy këngëtarë të njohur. Kantautorë po se po. Në piano luajnë shumë mirë. 

ANILA MEMA

 Kësisoj kanë vendosur të jenë të dy në një recital të përbashkët. Live për dy orë. Në sheshin "Taulantia" në Durrës. Të dielën në 20:00. Kujtim Prodani dhe Pirro Çako, kanë kohë që e bluajnë në mendje këtë projekt. Derisa një ditë qershori, e ndjejnë që shkoi vonë dhe nisin nga përgatitjet e para. Kjo ide e përbashkët e dy artistëve të njohur të skenës së festivale dhe muzikës së lehtë shqiptare, do të finalizohet këtë fundjavë në një koncert të madh për publikun dhe pushuesit në Durrës. "Kam rreth gjashtë muaj që kam kontaktuar me Pirron dhe ai më shprehu dëshirën e këtij për një bashkëpunim të mundshëm. Lindi fare spontanisht. Më 8 mars, në Piano-Barin tim u organizua një mbrëmje artistike, për nder të grave tona të mrekullueshme. Aty ishte prezantimi i parë me Pirron në skenë dhe pasi mbaruam të dy programin, më pëlqeu komunikimi i tij me publikun, dhe pas kësaj mbrëmje të suksesshme, pasi kënduam së bashku rreth dy orë, na lindi ideja e një koncerti të përbashkët. Më pas patëm një pauzë, pasi Pirro u largua në Paris, unë isha i zënë me aktivitete në Piano-Bar dhe diku rreth mesit të qershorit, i thashë: Pirro, jemi vonë dhe u ulëm në piano", tregon pikënisjen e projektit kantautori Prodani.
Kantautorët... në pritje të yjeve
Të dy së bashku, kanë menduar të sjellin një spektakël të vërtetë, që publiku t'i mirëpresë dhe të kalojë një mbrëmje verore sa më të këndshme. Dhe për këtë po punojnë fort, deri në detaje, ndonëse ditët mbeten shumë stresuese për ta. "Unë jam nervoz të them të drejtën, disa herë në ditë ngre sytë nga qielli dhe them si do jetë koha... Organizime të tilla në sheshe të mëdha, janë shumë delikate por edhe të bukura, sepse aty takon që nga bebet e vogla, e deri tek gjyshërit... Unë thjesht uroj të dal mirë, sepse kemi edhe përgjegjësi të veçantë për artistët që kemi të ftuar. Megjithëse kam bindjen që njerëzit do të përjetojnë një mbrëmje të bukur dhe plot emocion, aq sa i ftoj të këndojnë me ne në këtë skenë së bashku. Dhe jo më kot zgjodhëm, kohën, verën, vendin pranë detit, ku njerëzit shëtisin...A ka gjë më të bukur se të këndosh nën yje. Urojmë që atë natë të ketë…", shton Prodani, teksa fshin djersët ballit. Sapo është kthyer nga Durrësi, me një tufë ftesash ndër duar dhe nxiton për t'i shpërndarë sa më parë. Kohë nuk ka më. 
Kur këndojnë
me prindërit
Në dy orë spektakël kanë menduar të sjellin një program sa më të larmishëm. Padyshim do ta prezantojnë vetë. Këngëtarët e njohur do të interpretojnë këngë të ndryshme, shumica e tyre hite, pjesë e albumeve të tyre si "Herët a vonë", "Mos më krahaso", "I'm from Tirana", "Gabriele", "Kënga e marinarit", "Interesant", "Engjëll apo djall", "Unë dhe ti", "Godina numër 3" por edhe këngë të shekullit, të cilat ndër vite kanë lënë gjurmë tek spektatori. E veç tyre pritet që mbrëmjen e së dielës pikat më kulmore e spektaklit të jenë duetet e këngëtarëve me prindërit. "Në këtë program dëshiroja të këndoja edhe një këngë duet me këngëtaren Anita Take, e ndërkohë edhe Pirro nga ana tjetër dëshironte të këndonte një duet me të atin, këngëtarin e mirënjohur, Gaqo Çako, dhe kështu si padashje lindi ideja e këtij formati, e këtij projekti, për të bërë një koncert "familjar", tregon Kujtimi. Këngët që kanë menduar të interpretojnë në duet nuk janë të reja, duetin me të madhen Anita Take, Prodani e ka kënduar dy vite më parë, ndërkohë edhe dueti i Gaqo Çakos me të birin, Pirron, është realizuar vite më parë. Veç janë të dyja këngë të veçanta, për dy këngëtarët, që të dielën e presin me emocion. "Ne jemi shumë miq, edhe në këtë bashkëpunim nuk ekziston termi "xhelozi" artistike. Por përkundrazi, do të ndiqni dy muzikantë, dy pianistë, kantautorë të ulur në piano pranë njëri-tjetrit, për rreth dy orë, pasi këtë recital mendojmë ta organizojmë edhe në vende të tjera, kudo ku ka artdashës, që pëlqejnë muzikën e Pirros dhe të Kujtimit", thotë këngëtari. Organizimi i këtij koncerti është mbështetur nga Bashkia e Durrësit, e veçanërisht Vangjush Dako.

Para Anitës...
Nuk di të përcaktojë emocionet kur këndon me nënën. Kantautori i njohur, Kujtim Prodani, nuk gjen fjalë të përshkruajë, lidhjen e tyre pasi është më e veçantë se nënë-bir, e kjo e bën të ndihet i "dorëzuar" para madhështisë së saj. "Kur këndoj me nënën, nuk mund të them, është bukur, shumë bukur, ëndërr, e le të papërcaktuar, di që është një gjendje nuk di ta përcaktoj. Më vjen keq që kjo këngë e parë "Kënga dhe dashuria" erdhi si me vonesë, por vitin që vjen Anita feston 75-vjetorin, dhe unë me shumë siguri do t'i dhuroj një këngë tjetër. E pastaj me kismet", shprehet Kujtimi, teksa tregon se ideja është të realizojë një këngë të veçantë me poezi po aq të veçantë. Thotë se do ta shoqërojë edhe me videoklip dhe kjo është dhurata e tij, për ditëlindjen e saj. "Jam i bindur që ne të dy do të hipim përsëri në skenë edhe me interpretime të tjera. Një kënga ime thotë: "Kjo është jeta miq...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›