Masa e sigurisë, burg 27-vjeçarit që plagosi të fejuarën
Shkodër – “Arrest me burg” ka qenë masa e sigurisë që ka caktuar Gjykata e Shkallës së Parë për 27-vjeçarin Edmir Mehaj, i cili akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Gjatë seancës gjyqësore, prokurorja e çështjes, Edlira Cufi ka deklaruar se ndalimi i të dyshuarit Mehaj ka qenë i ligjshëm dhe njëkohësisht i ka kërkuar gjykatësit Albano Çepele, që masa e sigurisë të jetë “arrest me burg”. Mbrojtja e ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin dhe ka kërkuar që masa e sigurisë të jetë “arrest në shtëpi”, duke qenë se autori ka thënë se “krimin ndaj të fejuarës e bëra për vetëmbrojtje”. Ditën e premte, 22-vjeçarja Silvana Lami nga Bërdica, ka mbetur e plagosur pranë sheshit “Isa Boletini”, si pasojë e goditjeve me armë të ftohtë (thikë) nga ish-i fejuari i saj, Edmir Mehaj, i cili pas kryerjes së krimit ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Por, arratisja e tij ka zgjatur vetëm pak orë, pasi është prangosur në fshatin Kuq, ku ishte i strehuar për t’iu fshehur policisë që e kishte shpallur në kërkim.
Gjendet një automjet i djegur, policia e konsideron ngjarje aksidentale
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë konstatuar përmes informacioneve në rrugë operative, se në vendin e quajtur “Qafa e Qarrit”, në aksin kombëtar Korçë-Ersekë, vendndodhjen e një automjeti të djegur. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, nga verifikimet e bëra ka rezultuar se automjeti në fjalë ka qenë i markës Mercedes-Bens, model ML, me targa KO 7775 B, i djegur plotësisht. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se djegia e automjetit është shkaktuar gjatë lëvizjes në këtë rrugë, ku në drejtim të tij ka qenë pronari i automjetit, Aurel Fero, banues në lagjen nr. 10 të Korçës. Fillimisht është konstatuar një tym që dilte nga pjesa e përparme e automjetit dhe më pas, ajo ka përfshirë gjithë automjetin duke e djegur plotësisht atë. Për këtë ngjarje aksidentale, nga policia janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së Korçës.
Puna për pastrimin e rërës në plazh i merr jetën 42-vjeçarit në Durrës
Durrës – Puna për pastrimin e rërës së plazhit në Durrës, në prag të nisjes së sezonit turistik, ka rezultuar fatale për një 42-vjeçar i cili gjeti vdekjen nga freza e traktorit me të cilin punonte. “Ngjarja e dhimbshme ndodhi dy ditë më parë rreth orës 10:30, në fshatin Hamallaj në Sukth të Durrësit”, -thanë për gazetën “Albania”, burime policore vendase. “Kastriot Veizaj, 42 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Kullë Sukth, gjeti vdekjen gjatë punës për pastrimin e rërës së plazhit me një traktor në pronësi të tij”, - konfirmoi policia. Grupi hetimor zbardhi se 42-vjeçarin e kishte kapur freza e traktorit duke i shkaktuar dëmtime të shumta në trup. I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit por nuk ka mundur të mbijetojë. “Pasi u kryen veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, qyrja e kufomës dhe nga deklarimet e marra të pranishmëve në vendngjarje rezultoi se Kastriot Veizaj ka gjetur vdekjen aksidentalisht gjatë punës për pastrimin e frezës nga mbeturinat e rërës. Atë e ka kapur freza duke i shkaktuar dëmtime të rënda me pasoje vdekjen”, detajoi policia. Gjithsesi, ajo shtoi se “materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Durrës, për hetime të mëtejshme”.
2 Qershor 2009