Përplas në aksident pasagjeren, shoqërohet drejtuesi
ELBASAN-Një aksident me pasojë plagosjen e një shtetaseje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Librazhd – Elbasan, në fshatin Labinot-Fushë. Burime të policisë të Elbasanit, bëjnë të ditur se një mjet i tipit Bens veturë, me targa EL 6404 B, me drejtues shtetasin Leonard Toçi, vjeç 23 ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Si pasojë e këtij aksidenti është dëmtuar shtetasja Pranvera Hysa, vjeçe 23, lindur e banuese në fshatin Bujqës–Elbasan, e cila ka qenë pasagjere.
Aktualisht e dëmtuara ndodhet në spitalin kirurgjik nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se ndaj drejtuesit të mjetit ka nisur procedimi penal për “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Tenton të kalojë rrugën, vdes në aksident 37-vjeçarja
TIRANË - Një aksident i rëndë automobilistik që ndodhi në aksin rrugor Krutje- Poshnjë të rrethit të Lushnjës, ka shkaktuar vdekjen e një 37-vjeçareje që teksa po zbriste nga autobusi, nuk ka parë një automjet tjetër në lëvizje dhe është përplasur prej tij. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orën 22:00 të mbrëmjes të së dielës dhe mësohet se viktima ka qenë në një autobus së bashku me kolektivin e saj, të cilët kanë qenë për vizitë jashtë rrethit, dhe po kthehej në shtëpi. Në momentin që ka zbritur nga autobusi për të kaluar në anën tjetër të rrugës, nuk ka qenë e vëmendshme dhe është aksidentuar nga një automjet “Wolksvagen” me targa të Durrësit. Policia rrugore ka shoqëruar drejtuesin e mjetit në komisariatin e policisë për të sqaruar ngjarjen. Ekspertë të kësaj policie kanë nisur hetimin për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Burimet zyrtare të policisë pohuan faktin se ka qenë veprimi i 37-vjeçares Goga (e cila ka tentuar që të kalojë rrugën pa e kontrolluar atë nëse kishte automjet në lëvizje), ai që ka sjellë aksidentin.
2 Qershor 2009