E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kërkesa e Omonia, sharlatanizëm

Pas vendimit të shoqatës “Omonia”, reagon ashpër politikani dhe historiani i njohur Sabri Godo. 

ADI SHKEMBI

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se kjo shoqatë përpiqet të krijojë të tilla situata për të qenë gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes. Madje, ai pretendimet e minoritetit grek i krahason me përrallën e La Fontenit të bretkosës, që donte të fryhej sa një ka. Sipas tij, nëse një nismë e tillë do të vijë në parlament, ky i fundit duhet t’i tregojë se kjo është dera e gabuar për një gjë të tillë.
Zoti Godo, shoqata “Omonia” ka marrë vendim për t’i kërkuar qeverisë shqiptare, që gjuha greke të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Shqipëri. Si shembull kjo shoqatë ka marrë vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për gjuhën shqipe. Si e komentoni këtë vendim të shoqatës së minoritetit grek?
Unë besoj se mund të konstatohet që në shikim të parë se, nuk ka kurrfarë krahasimi ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë dhe minoritetit grek në Shqipëri. Shqiptarët atje për shkak të numrit të madh të tyre që arrin në 30 për qind, janë popullsi shtetformuese dhe përdorimi i gjuhës shqipe atje është vendosur nga Marrëveshja e Ohrit. Ajo është vonuar deri tani për shkak të mungesës së vullnetit dhe gabim i palës maqedonase. Tani duket se Bollano dhe disa elementë të tjerë këtu në Shqipëri, kërkojnë gjithandej shembuj nëpër botë se si do të bëjnë për të justifikuar disa kërkesa të tyre që janë krejt të rrezikshme. Kjo mua pak a shumë më duket si ajo përralla shumë e njohur e bretkosës që donte të fryhej sa një ka. Unë nuk e di tua ketë ndaluar kush përdorimin e gjuhës greke atyre në zonat minoritare, nuk di t’u ketë ndaluar njeri të botojnë gazeta, apo të flasin në radio dhe them se askush nuk u ka thënë ndonjëherë pse flisni greqisht kudo që ndodhen në Gjirokastër, në Tiranë apo në Shkodër. Unë nuk arrij ta kuptoj këtë kërkesë të tyre. Ata duan herë pas here të jenë në qendër të vëmendjes dhe të krijojnë probleme, kjo më duket se është edhe ajo që le ta quajmë strategjia e përgjithshme e tyre, të krijojnë herë pas here probleme inekzistente.
Ç’do të ndodhte nëse një gjë e tillë pranohej?
Që të bëhet gjuha greke gjuhë e dytë zyrtare në Shqipëri duhet që Parlamenti Qeveria dhe administrata shqiptare të mësojnë greqisht. Nëse të gjitha minoritetet që janë në Shqipëri kërkojnë të njëjtën gjë, u takon romëve më përpara se grekëve nga sasia numerike që gjuha e tyre të bëhet gjuhë e dytë. Kështu që nga çdo anë që ta vërtisësh këtë, mbetet me të vërtetë një gjë krejt absurde dhe e pashpjegueshme dhe jashtë çdo realiteti.
A duhet të ketë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje?
Qeveria ka pasur rast më përpara t’i japë përgjigje edhe për gjëra të tjera. Tani kjo më duket më tepër sharlatanizëm sesa politikë. Në qoftë se me të vërtetë ndonjë deputet i tyre, ose ndonjë person tjetër merr ndonjë nisëm për të dërguar ndonjë propozim në parlament, patjetër është koha që parlamenti doemos ta shqyrtojë këtë dhe t’u thotë që trokasin në një derë të gabuar dhe për një çështje, që nuk qëndron fare në mënyrë që të mbledhin mendjen. 

Milo: Minoriteti grek në Shqipëri, nuk përbën element shtetformues

Kryetari i Demokracia Sociale, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e konsideron të ekzagjeruar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës “Omonia” për të propozuar vendosjen e gjuhës greke si gjuhë e dytë zyrtare në Shqipëri. “Vendimet e një organizate të minoritetit grek në përmasa modeste në të cilat ai ndodhet në Shqipëri, nuk kanë përse të alarmojnë njeri. Dihet që në praktikën e minoriteteve të kësaj përmase ka një lloj autopersekutimi, që i shtyn ato të kërkojnë përtej çdo norme dhe të drejte ndërkombëtare”, u shpreh për gazetën “Panorama” kreu i PDS-së. Sipas tij, “një kërkesë e tillë duhet të trajtohet në kuadrin e përpjekjeve për t’i dhënë një rol më të madh kësaj organizate, por që nuk duhet ekzagjeruar për të bërë komente të zjarrta”. Por ish-ministri i Jashtëm shqiptar mendon se një propozim i tillë mund të jetë edhe një nxitje nga jashtë pas zhvillimeve të fundit politike në rajonin e Ballkanit. Sipas tij, në këtë propozim mund të kenë ndikim dhe pavarësia e Kosovës, por dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. “Mendoj që është në vazhdën e atyre qëndrimeve disi ekstremiste që mund të kenë nxitje jo të brendshme dhe që mund të jenë reflektim i një fobie tashmë të njohur dhe të përhapur në qarqe të caktuara nacionaliste ballkanase ndaj pavarësisë së Kosovës dhe progresit që po bëhet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, ku shqiptarët për nga përqindja e tyre janë elementë shtetformues”, tha Milo. Historiani i njohur shprehet se, “minoriteti grek në Shqipëri në përqindjen e tij reale shumë modeste, të ketë pretendime të tilla”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›