E Diel, 1 Nëntor 2026

Libraritë pa fatura tatimore do të gjobiten



Jonida Tashi

Librashitësit që nuk do të lëshojnë fatura tatimore, apo do të lëshojnë fatura të pasakta do të kenë pasoja ligjore. Lajmi për marrjen e masave ndëshkuese bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila fton të gjithë qytetarët që të njoftojnë në numrin e telefonit 04 22 25 859 për çdo shkelje të rregullave në shpërndarjen e librave. Ndërkohë që shpërndarja e teksteve shkollore në librari, ka nisur pa fatura tatimore. Një shitëse librarie në Tiranë shprehet se aktualisht tekstet shkollore po shiten pa fatura tatimore, por me një faturë të thjeshtë. Libraritë fajësojnë për mungesën e faturave tatimore shtëpitë botuese. Sipas tyre, shtëpitë botuese megjithëse i kanë furnizuar me tekstet shkollore për vitin e ri arsimor, ato nuk i’u kanë sjellë atyre fatura tatimore. “Nëse shtëpitë botuese do të na i sjellin, ose do na udhëzojnë që shitja e teksteve të bëhet me fatura tatimore ne do t’i japin blerësve një faturë të tillë kur të blejnë librat”, pohon shitësja. Ndërkohë që, sipas Ministrisë së Arsimit, prindërit dhe nxënësit e arsimit bazë 9-vjeçar duhet të tërheqin pas blerjes së librave faturën tatimore që të mund të marrin kompensimin për librat që do të blejnë.
Radhët
Ministria e Arsimit ka deklaruar se këtë vit, nuk do të ketë radhë në librari për të gjithë ata nxënës dhe prindër të cilët do t’i tërheqin tekstet mësimore në kohë. Për këtë, MASH-i bën të ditur se në sajë të masave të reja të marra nga kjo ministri këtë vit, katër javë përpara fillimit të vitit shkollor, 36 librari të Tiranës janë furnizuar me 405 tituj tekstesh (nga 426 tituj që janë gjithsej) nga 30 shtëpi botuese. Që nxënësit dhe prindërit të mos rendin më nga njëra librari në tjetrën, sivjet, çdo nxënës do t’i gjejë të gjitha tekstet e klasës së vet në librarinë pranë shkollës ku do të studiojë. Para çdo shkolle është shpallur lista e teksteve për çdo klasë me tekstet alternativë të zgjedhura prej shkollës si dhe emri i librarisë ku do të furnizohet me këto libra. Drejtuesit e MASH-it i bëjnë të ditur të gjithë blerësve që të marrin faturën tatimore nga shitësi për ato libra që blejnë, me çmimin e afishuar në kopertinë, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi prej 310 milionë lekësh, që qeveria ka vënë në dispozicion të nxënësve të shkollave publike e private të arsimit bazë.
Problemet
Përveç daljes me vonesë në treg, ndryshe nga ajo që u deklarua në ditët e fundit të muajit korrik nga Ministria e Arsimit, që prindërit duhet t’i blinin librat shkollorë që në fillim të muajit gusht, për të evituar radhët e gjata në librari, të tjera probleme janë shfaqur me tekstet. Megjithëse libraritë apo shkollat janë pajisur me librat shkollorë nga shtëpitë botuese, jo të gjitha tekstet gjenden në to. Shitësja e një librarie pranë rrugës “Don Bosko” shprehet se tekstet që janë botuar kanë disa ditë që kanë ardhur në librari, por ka edhe shtëpi botuese të cilat nuk i kanë sjellë ende disa libra. Sipas drejtuesve të shtëpive botuese, shkak për këtë vonesë kanë qenë mësuesit, të cilët nuk i kanë përzgjedhur në kohë titujt e librave. Për pasojë, kjo ka bërë që të mungojnë disa tekste pothuajse për çdo klasë. Ndërkohë sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, prindërit duhet t’i blejnë tekstet që janë aktualisht në treg dhe më pas të marrin edhe ato që mungojnë.
Pasojat
Shtëpitë botuese duhet të shpërndanin tekstet shkollore në të gjitha libraritë, deri në datën 15 gusht. Madje, ministri i Arsimit Fatos Beja, deklaroi se prindërit mund të drejtoheshin në librari, që në ditën e parë të muajit gusht. Por, megjithëse kanë kaluar dy javë dhe në librari ka shumë mungesa, arsyeja ende nuk është shpjeguar as nga Ministria dhe as nga shtëpitë botuese. Ata që vuajnë pasojat, janë prindërit, të cilët edhe për këtë vit, duhet të qëndrojnë në radhë për të blerë ato pak tekste që kanë dalë në shtije. Madje, disa prej tyre shprehen se nuk besojnë më te kompensimi, pasi as faturat e vitit të kaluar nuk i kanë marrë. Fillimisht shtëpitë botuese ofruan 169 tekste, nga të MASH-i cilat miratoi për vitin 2008-2009, 104 tekste alternative. Mesatarisht një titull lënde do të ketë deri në 3 tekste alternativë, ndër të cilët vetë mësuesit kanë zgjedhur më të përshtatshmin për nxënësit e tyre. Këtë vit, do të pajisen me tekste të reja edhe klasat e 5-ta dhe të 9-ta. Në procesin e zgjedhjes së teksteve morën pjesë rreth 200 mësues.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›