E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj: “Universitetet të jenë pjesë e procesit të pranimit të studentëve”



Universitetet duhet të jenë pjesëmarrëse në procesin e pranimit të studentëve. Kështu është shprehur dekani i fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, i cili e sheh si të nevojshëm pjesëmarrjen e universiteteve në përzgjedhjen e studentëve të rinj. Deri tani, i vetmi universitet që ka ndërhyrë në procesin e pranimit të studentëve ka qenë ai Politeknik, i cili ka vendosur mesataren mbi 6.5 si kriter pranimi për studentët, në mënyrë që pranimet të jenë sa më cilësore. Pikërisht, cilësia e pranimeve, është pika kyçe pse Rrokaj kërkon ndërhyrjen e universiteteve në këtë proces. Sipas tij, nëse universitetet do të vendosnin kritere të veçanta për pranimin e studentëve cilësia e pranimeve do të ishte më e mirë. Cilësia e studentëve të pranuar në universitetet publike të vendit, e cila shpeshherë është vënë në pikëpyetje nga vetë institucionet ku ata studiojnë, ka bërë që për vitin e ri akademik, universitetet të mos ofrojnë më degë të hapura. Këtë propozim për mbylljen e degëve pa limit, universitetet i‘a kanë paraqitur edhe Ministrisë së Arsimit e cila ka rënë dakord me universitetet për këtë çështje. Shkak për paraqitjen e këtij propozimi, mësohet të jenë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri degën që do të studionin. Ndërkohë që, nga të rinjtë gjithmonë këto degë janë parë si një mundësi për të hyrë në fakultet, por gjatë ecurisë së studimeve në këto degë janë vërejtur jo pak probleme. Kjo edhe për faktin se studimet në degët e hapura i kanë ndjekur të rinjtë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtë studimi në degë të tjera. Pranimet në shkollat e larta për vitin shkollor 2008-2009, ashtu si dhe vitin e kaluar shkollor, do të bëhen në bazë rezultateve të Maturës Shtetërore dhe sistemit Meritë-Preferencë. Fituesit bazuar në sistemin Meritë–Preferencë, përcaktohen sipas dy parimeve: Parimi i meritës, përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërsa parimi i preferencës, përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre.

19 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›