Aurora Kapo, fituese në Mal të Zi
Aurora Kapo, nga Durrësi, është shpallur fituese e Festivalit të 16 Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë, që u zhvillua në Rozhajë të Malit të Zi. Në festivalin "Zlatna Pahulja" ("Floku i artë i dëborës") që u organizua nga Qendra kulturore e Fëmijëve të Rozhajës dhe Radiotelevizioni i Podgoricës morën pjesë 34 këngëtarë të vegjël nga Shqipëria, Hungaria, Gjermania, Franca, Rumania, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi. Këngëtarja 8-vjeçare Aurora Kapo fitoi vendin e parë me këngën "Koncerti i ëndrrave" të kompozitorit Klodian Qafoku, duke lënë pas këngëtarin nga Franca, Valentin Vierling.