Njohje e thellë e historisë së diplomacisë
Libri i autorit Ethem Çeku, "Kosova në sfondin e diplomacisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, 1945-1981", me të cilin autori mbrojti doktoratën disa muaj më parë, shënon një risi në historiografinë shqiptare të viteve të fundit. Ai është rezultat i një pune shumëvjeçare hulumtuese, ku spikat trajtimi i sintetizuar dhe objektiv i ngjarjeve, në kërkim të moduleve më të përshtatshme shkencore të mbështetura në burime të shumta bibliografike dhe në dokumente të shumta arkivore shqiptare dhe të huaja. Pasi lexon këtë monografi, të krijohet ideja se ngjarjet e këtij fillimshekulli në Kosovë dhe arritja e pavarësinë e saj, nuk është "mollë e rënë nga dega", por finalizim i përpjekjeve gjigante të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe i besimit konstant te liria dhe vlerat e qytetërimi evropian. Përmes këtij libri dëshmohet dhe argumentohet qartazi se shqiptarët nën Jugosllavi asnjëherë nuk u pajtuan me realitetet e imponuara nga ndarja, se ata besuan te liria dhe luftuan për të fituar të drejtën e shtetit të pavarur, e cila do të bëhej realitet vetëm në fillim të shekullit XXI. Autori ka bërë objekt të studimit të vet shkencor Kosovën në vitet 1945-1981, përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për të ndryshuar skemat e fiksuara prej të mëdhenjve në fillim të shekullit të 20, për ta shndërruar Kosovën në shtetin më të ri të botës dhe qytetarët e saj si pjesëtarë të lirë të Evropës moderne. Dr. Çekun, të cilin e njoh nga afër, do ta cilësoja një studiues pasionant dhe të palodhur, me profil shkencor gjithnjë në rritje, kërkues ndaj vetes dhe mendjehapur për të thithur idetë e reja dhe për të pranuar faktet ashtu si janë, pa i paragjykuar dhe gjykuar ato nga këndvështrime të drunjëzuara. Ethemi është një studiues këmbëngulës dhe shumë i vullnetshëm i historisë dhe diplomacisë bashkëkohore të shqiptarëve, ku spikatin motivet e qarta shkencore dhe kombëtare. Ndër vlerat e këtij studimi, të cilat janë të shumta, unë do të nënvizoja se përpjekjet serioze për të paraqitur dhe gjykuar me realizëm mbi ngjarjet kryesore të historisë së brendshme dhe diplomatike të Kosovës në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë. Ai ka arritur të na paraqesë dhe analizojë zhvillimet më të rëndësishme të brendshme të Kosovës dhe kontekstin ndërkombëtar të tyre, duke u fokusuar te qëndrimi ndaj saj i Jugosllavisë, Shqipërisë dhe dy superfuqive të kohës, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Për hartimin e këtij studimi, ai ka shfrytëzuar botime të shumta, vendase dhe të huaja, si dhe dokumente të shumta arkivore, në shumicën e tyre të pabotuara, të deklasifikuara gjatë viteve të fundit, të nxjerra nga arkivat shqiptare, por edhe nga ato amerikane, sovjetike e jugosllave. Ai është munduar të sintetizojë një numër të madh ngjarjesh të brendshme dhe historinë diplomatike gati gjysmë shekullore të Kosovës, duke pasur si model libra nga më të spikatur të kohës, ndërmjet të cilëve librin "Diplomacia" të Henri Kisinxherit, i cili ka qenë modeli më i mirë për të. Pa dyshim që ky ka qenë synim ambicioz dhe i vështirë për t‘u realizuar, pasi autorit do t‘i duhej të sintetizonte ngjarje të shumta, të cilat ai i njeh deri në detaje. Autori është përpjekur vazhdimisht të njohë dhe marrë në konsideratë edhe studime dhe gjykime të "palës tjetër", pra të historiografisë jugosllave dhe serbe, me kërkesën për të qenë korrekt dhe objektiv ndaj tyre. Se sa ia ka arritur qëllimit në këtë pikë, kjo për mendimin tim mbetet një pikë e debatueshme, e cila do të verifikohet nga lexuesi në të ardhmen. Sidoqoftë, sipas opinionit tim, një synim i tillë mbetet i vlerësueshëm dhe objektiv edhe për studimet tona të ardhshme. Njohja e botimeve dhe burimeve arkivore nga mjediset fqinje, jo vetëm do të ndikonte në botime më cilësore shkencore por do të na ndihmonte më tej në perceptimin më të mirë të "tjetrit", të kuptonim më mirë të shkuarën tonë, në funksion të ndërtimit të së ardhmes sonë evropiane. Libri është shkruar me gjuhë të qartë, me stil konciz, me një aparat të plotë shkencor, me referenca të shumta dhe bibliografi të gjerë shkencore, të paraqitur sipas modeleve të standardizuara nga më të përparuarat e kohës.
Në fund të librit, autori ka atashuar një numër të kufizuar dokumentesh arkivore të pabotuara më parë, me qëllimin e mirë, që lexuesi të gjykojë në mënyrë të pavarur mbi disa zhvillime të historisë së Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga leximi i këtij libri shpresoj të përfitojnë të gjithë, kërkuesit shkencorë, pedagogët, studentët dhe lexuesit e përditshëm, që dëshirojnë të njohin më thellë historinë diplomatike të Kosovës së viteve 1945-1981.
Në fund të librit, autori ka atashuar një numër të kufizuar dokumentesh arkivore të pabotuara më parë, me qëllimin e mirë, që lexuesi të gjykojë në mënyrë të pavarur mbi disa zhvillime të historisë së Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga leximi i këtij libri shpresoj të përfitojnë të gjithë, kërkuesit shkencorë, pedagogët, studentët dhe lexuesit e përditshëm, që dëshirojnë të njohin më thellë historinë diplomatike të Kosovës së viteve 1945-1981.