E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laura, nga Zonjë e Parë në shtëpiake e dëshpëruar

"Preston Hollow" është një lagje elegante e zhytur në gjelbërim, në veri të Dallasit ku jetojnë kryesisht miliarderët teksanë. Mes shtëpive të ish-kandidatit për President, Ros Perot, bosit të naftës T. Boone Pickens dhe Tom Hiks, pronari i Liverpulit, prej një jave jetojnë edhe Xhorxh dhe Laura Bush. Vila me tulla të kuqe me një kopsht 800 metra katrorë, që ka kushtuar 3.8 milionë dollarë, u ble në fund të vitit, por punët për rikonstruksionin e tyre kanë zgjatur më shumë se sa ishte parashikuar, duke e detyruar ish-çiftin presidencial të kalonin thuajse një muaj në fermën e Crauord, rreth dy orë larg me makinë. Laura kishte zgjedhur shtëpinë dhe lagjen duke u endur për një rezidencë të rehatshme dhe lehtësisht të administrueshme, të rrethuar nga miq dhe financues, po transferimi po duket se është shumë herë më i vështirë nga ajo që ishte parashikuar, siç rrëfeu edhe ajo vetë në një intervistë për televizionin ABC. Problemet më të shumta, me sa duket kanë të bëjnë me vështirësitë e përditshme të një çifti të aristokracisë së bardhë, anglosaksonë dhe protestantë, të cilët që prej mbrëmjes së 20 janarit kanë filluar të bëjnë pjesë në universin e pensionistëve, duke lënë pa krahëve tetë vjet presidencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pesë si guvernatorë të Teksasit, gjatë të cilave ia kanë deleguar punët e përditshme një grupi të madh bashkëpunëtorësh, kuzhinierësh, asistentësh dhe shoferëve. "Kemi vërtet shumë pak mobilie", pranon Laura duke shtrënguar dhëmbët dhe duke shpjeguar se "na mungon tavolina e kafesë dhe tavolina për të drekuar". Kjo e ka detyruar ish-çiftin presidencial t‘u kërkojnë fqinjëve një tavolinë për të ngrënë së bashku. Edhe karrige ka shumë pak në shtëpi. Kështu, disa mbrëmje më parë, kur papritur u gjendën në një darkë me 16 të ftuar për darkë, Laurës iu desh të dilte të shkonte me shpejtësi në shtëpinë fqinje ku banojnë agjentët e eskortës së shërbimi sekret për të kërkuar karrige që ditën tjetër ua ktheu sërish pronarëve mes shumë falënderimesh. Përveç sallonit, vila ka katër dhoma gjumi, në pjesën më të madhe bosh ku, Laurës tani i duhet të mendojë për blerjen e komodinave, dollapëve, shtretërve, gjë që nuk e ka bërë që nga 17 janari i vitit 1995, ku së bashku me bashkëshortin u transferua në rezidencën e guvernatorit në Austin. Mes gjërave të reja me të cilat Laura është ndeshur këto ditë kanë qenë edhe udhëtimet e shpeshta në dyqanin e hekurishteve, duke theksuar se restaurimi nuk duhet të jetë perfekt, surprizën e pakëndshme të "Dallas Morning News" për të dërguar me saktësi gazetën e mëngjesit përpara portës së shtëpisë. Për një President të mësuar që ta nisë ditën duke i marrë lajmet nga shërbimi i inteligjencës për sekretet më të mëdha të planetit, të mos arrijë të lexojë gazetën në orët e para të mëngjesit, duhet të jetë një "poshtërim" i rëndë. Por ankesave të vazhdueshme të Laurës, redaksia iu përgjigj duke shpërndarë në internet një komunikatë ku vonesat janë justifikuar me "kontrollet e sigurisë dhe postblloqet që i pengojnë punonjësit tanë ta lënë gazetën përpara shtëpisë". Cilido që të jetë motivi, gazeta lokale, e vetmja ku kanë zgjedhur të abonohen, duke treguar qartë dëshirën për të lexuar lajmet "ende nuk mbërrin në kohë" dhe Laura ka zgjedhur ta kompensojë këtë mungesë duke u ulur përpara kompjuterit. Por edhe në këtë drejtim diçka nuk ka funksionuar. "Kam pasur shumë vështirësi në dërgimin e e-mail-eve", ka shpjeguar. Mes dhomave bosh, mungesës së gazetave dhe problemeve me kompjuterin, Bushët po ngushëllohen falë "miqve të shumtë që vijnë për të na takuar", siç tregon Laura, duke treguar mirënjohje për faktin që shpesh të ftuarit u çojnë si dhuratë komplete pjatash. Megjithatë, ish-zonja e parë rrëfen se "nuk ka nisur akoma të gatuajë", duke lënë të kuptojë se kjo është një provë më e vështirë sesa udhëtimet me avionët e zakonshëm të linjave, në vend të gjigantit "Air Force One" apo asaj për të kërkuar karrige borxh. Një nga pasojat e shumë gjërave të paparashikuara për jetën e përditshme është fakti që Laura Bush, e ndoshta edhe bashkëshorti, tregon se është mbyllur brenda shtëpisë deri në pikën sa "harruam plotësisht të shihnim fjalimin e Presidentit përpara kombit". "Kur e kuptova se çfarë kishte ndodhur, mendova se ishte një ironi e fatit, pasi për tetë vjet e kisha pritur me ankth fjalimin e Presidentit, ndërsa kësaj radhe gjithçka ndodhi pa e kuptuar", pati thënë ish-zonja e parë e Amerikës. Për të evituar që të mposhten nga një realitet ku duket hapur se nuk ndihen në lartësinë e tyre, Bushët i kanë kthyer sytë drejt projekteve të reja për të dy. Laura shpreson të kthehet në Afganistan për të takuar gratë e reja që "i kam takuar edhe dy herë të tjera gjatë udhëtimeve të mia në këtë vend" dhe synon të promovojë evente për letërsinë, ndërsa për Xhorxh Bushin prioriteti kryesor është hapja e bibliotekës presidenciale në "Southern Methodist University" të Dallasit, ku do të ketë qendrën edhe një institut në emër të së cilit synon të organizojë konferenca për të mbledhur fonde. Sipas planeve të deritanishme, do të jetë dy herë më e madhe se libraria presidenciale e babait të tij dhe do të përfshijë edhe një qendër politikash që është pagëzuar që tani si "Instituti i Lirisë". 300 mijë dollarët që i duhen për këtë do t‘i sigurojë përmes takimeve dhe konferencave. Kanë filluar të dëgjohen zëra se ish-presidenti ka nisur të shkruajë një libër me kujtime nga tetë vitet në detyrë, nuk dihet ende të ketë nënshkruar ndonjë kontratë publikimi. Nuk dihet as sa mund të jetë ndikuar nga lajmi se ish-sekretarja amerikane e Shtetit ka nënshkruar një kontratë prej 2.5 milionë dollarësh me një shtëpi botuese për publikimin e tre librave të saj me kujtime. Nuk dihet nëse do të ketë sukses si shkrimtar, pasi siç dihet, Xhorxh Bush u kthye në njeriun më të "urryer" prej amerikanëve me një popullaritet në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Kur la Shtëpinë e Bardhë, ai automatikisht u shndërrua në Presidentin më pak të dashur për amerikanët në rrjedhën e viteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›