"Shpatat shqiptare po zhduken"
Shpatat që kanë mbushur vitrinat e muzeve tona, apo fondet e tyre, nuk janë ato të përdorura në fushat e betejave. Kryesisht të importuara, të zbukuruara deri edhe me ar, ato përdoreshin si objekte dekorative, apo në raste ceremoniale. Shpatat shqiptare, të prodhuara për luftë, sot janë shumë të pakta në numër. Me kohën rrezikojnë edhe të zhduken. Shefi i laboratorit të konservimit dhe arkiometrisë, Frederik Stamati, i cili është marrë me studimin e tyre, thekson se gjatë viteve këto shpata kanë humbur. Jo vetëm në familjet që i kanë trashëguar, por edhe në muze për to është treguar kujdes i vogël. Kjo edhe nga vetë fakti se pamja e tyre e jashtme nuk ofron madhështinë e shpatave të dekoruara. Për Stamatin ato kanë vlerë historike dhe dokumentare. Së pari, janë prodhuar në vend, por edhe kanë lidhje me beteja të caktuara, ndonëse në kushtet e mungesës së studimeve është shumë e vështirë të thuhet se ku janë përdorur. "Numri më i madh i shpatave të grumbulluara në muzetë e Shqipërisë u takon shpatave dekorative, ose ceremoniale. Punonjësit e muzeve janë nisur nga paraqitja e këtyre shpatave, të cilat janë të bukura dhe i përkasin një arti të aplikuar. Nga studimi i deritanishëm ka rezultuar që ato vërtet janë të bukura, me dekoracione ari argjendi dhe rrallë tunxhi, apo bronzi, por nuk janë prodhime vendase. Janë importuar kryesisht nga Turqia, nga Evropa dhe në raste të tjera janë turke, ose perse. Këto shpata fillojnë me një shtrirje që nga shpatat kazake e deri ato të Evropës Perëndimore. Por, në punën e tyre muzetë kanë lënë jashtë vëmendjes mbledhjen e armatimit të prodhuar në Shqipëri. Këto shpata janë utilitare dhe pasurojnë botën muzeore. Ky është tipi i shpatës me të cilin kanë luftuar shqiptarët dhe jo ato që paraqet Eduart Lear në vizatimet e tij. Kanë ngelur shumë pak, ndonjë është shitur edhe jashtë. Ato që kanë mbetur sot janë në gjendje mjaft të keqe, shumë të ndryshkura, pa doreza etj.", shprehet Stamati. Nga studimet që ai ka bërë deri më tani në Ersekë, Pogradeci, në fondin etnografik të Tiranë dhe në muzeun etnografik të Durrësit ka gjetur 8 shpata të tilla. I ka mbetur vetëm Muzeu i Gjirokastrës për të parë. Një pjesë e tyre ndodhet edhe në koleksione private, ku më i madhi gjendet në Berat. Vetë Stamati ka 8 të tilla në shtëpinë e tij. "Disa të tjera ndodhen në ndonjë dyqan, në ndonjë lokal, siç është rasti në Berat, ku kishte tri shpata të tilla. Janë të rralla, sepse njerëzit nuk i kanë preferuar. Nëse do të llogarisim në vlera minimale 100 mijë luftëtarë dhe secili të kishte tri shpata, atëherë i bie që në Shqipëri minimalisht të ketë pasur 300 mijë shpata. A ishin të gjitha të importuara? Vetvetiu të lind mendimi që këtu ka pasur zeje armëtarësh, që prodhonin shpata për tregun e brendshëm. Ndërkohë ne kemi të dhëna nga Nopçe, i cili flet për prodhimin e armëve në Shqipëri", thekson shefi i laboratorit konservimit dhe arkiometrisë.
Ku gjenden
Deri më tani kanë ardhur kryesisht nga Veriu dhe në zonën e Beratit. Një treg i këtyre shpatave ka qenë Pazari i Krujës dhe një dyqan që shet antikuarë. Për t‘i sjellë në këto tregje shpatat janë blerë në zona të ndryshme dhe e kanë humbur origjinën. Sipas Stamatit, shtrirja kohore e tyre mund të jetë që nga shekulli XV deri nga fundi i shekullit XIX. "Por janë gati në zhdukje", thotë Stamati, teksa shpjegon se këto shpata janë lehtësisht të dallueshme. Në krahasim me dekorativen, shpata luftarake është më e rëndë dhe më e fortë për të dëmtuar kundërshtarin. Stamati tregon se shpatat luftarake nuk janë të zbukuruara me ar, por me punime të rënda kovaçi. Sipas tij, ato që ka arritur t‘i identifikojë si shpata të prodhuara në Shqipëri, janë të shkurtra dhe kanë qenë karakteristike për përdorimin në përleshjet trup me trup, ose në muret e kalave. "Disa nga këto shpata janë fare të thjeshta, të përbëra nga trupi, pjesa që mbron dorezën dhe doreza. Disa të tjera janë të dekoruara me incizim (kanal ose pika), ku mbizotërojnë ato në të cilat motivi është bërë me anë të pikave. Ndër motivet dallohen harqe, sidomos tek ato që vijnë nga Jugu dhe zigzage tek ato të Veriut. Në ndonjë gjenden edhe pak zbukurime në gjatësinë e tehut dhe në ndonjë rast të rrallë ne kemi gjetur edhe data. Për sa i përket kullonit (mbrojtjes së dorezës) këto janë prej hekuri të përgatitura me derdhje, ose prej bronzi të thjeshta. Përgjithësisht dorezat e tyre prej druri, ndoshta dhe prej kocke, vijnë sot shumë të dëmtuara, ose të zëvendësuara, gjë që na bën të mos kemi një ide të qartë se si montoheshin këto doreza", thekson ai. Nëse do të vazhdojnë të lihen jashtë vëmendjes, këto shpata të prodhuara për beteja, ndoshta do të mbeten vetëm në të thëna.