E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Meka: Portretet e mia, klithma e Kosovës

Klithmë. Portretet e tij vijnë kështu. Janë krijuar para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dhe piktori Alban Meka i ka quajtur kështu: klithmë. Janë portrete gjysmë të fshehura, të mjegulluara... Një sy është më i dukshëm, diku tjetër është goja... Alban Meka, piktori nga Gjakova, është frymëzuar prej portreteve, njerëzve që çdo ditë ka ndeshur në rrugë e kudo. Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ata janë kështu. Në pikturën e Alban Mekës, rrëfejnë dramën e tyre të brendshme...

Ai vjen në Shqipëri për herë të parë për të ekspozuar. Së bashku me piktorët Ali Oseku, Merita Jaha, Gembi Xërxa, Kastriot Nura e Gani Gashi. "Newborn", kështu titullohet ekspozita e cila u çel dje pasdite në galerinë "Zenit", në Tiranë. Deri më 15 mars, piktorët nga Kosova do të sjellin nëpërmjet kësaj ekspozite të përbashkët tablotë e ciklit "Kryengritje" nga Xërxa, "Meditimet" e Merita Jahaj që vijnë nën çadra dielli apo rrëke shiu te "Pulsionet" e Mekes, "Melankolisë" prej Nurajt dhe sërish me ngjyrën e kuqe vatre të Gani Gashit, nën mikpritjen shqiptare të Ali Osekut, i cili prezantohet me veprat "Gjurmë Kosove ‘99". Mes tyre, Alban Meka, vjen me "Portrete" nga Kosova. Thuajse të gjitha veprat janë krijuar një vit para shpalljes së pavarësisë së vendit më të ri në botë, si për të na kujtuar pritjen e gjatë dhe të ankthshme të qytetarëve të tij. Në veprat e Mekës, personazhet vijnë të rrethuar në të kaltër, si për të treguar se, pavarësisht dhimbjes e trishtimit, shpresa ishte mes tyre. "Këto piktura i kam realizuar para një viti e gjysmë. Ishin një realizim për temë diplome, asaj ia kam kushtuar këtë cikël. Ishin një fazë e re, pasardhëse e asaj që kisha punuar më herët, që ishte faza në të kuqe. Këto punime i përkasin fazës në të kaltër ose blu", thotë piktori. "Në kohën kur kam realizuar këto vepra, Kosova ende nuk ishte shpallur e pavarur. Ato janë portrete, koka njerëzish në pritje. Asokohe të gjithë ne prisnim momentin e ardhjes së pavarësisë e ndjenim se ajo ishte shumë afër. I kam sjellë ashtu, të paqarta, të mjegulluara, me një sy a me një gojë të mbuluar, sepse jam bazuar edhe në shprehjet popullore "mbyll gojën" ose, "mbyll njërin sy"... Kjo ishte një mënyrë që të arrinim sa më shpejt te qëllimi ynë", vazhdon më tej ai. Edhe pse të realizuara në një kohë tjetër, Alban Meka thotë se, nëse do të duhej të risillte edhe një herë, në këtë kohë, portretet e shqiptarëve të Kosovës, ata do të vinin në të njëjtën formë e me të njëjtat ngjyra. "E them këtë, sepse kosovarët jetojnë në një ekonomi të rrënuar, ajo është e mjerueshme. Megjithatë mendoj se me kohën do të ndryshojë gjithçka. Jeta do të marrë rrjedha të tjera. Përjetimet do të jenë ndryshe nga koha e sotme", komenton piktori.

Alban Meka është nga ata artistë që me ngulmin e tij, ia ka dalë të ekspozojë dhe të vlerësohet me çmime përtej kufijve kombëtarë. Ka ekspozuar në Spanjë, në Bienalen e Firences e të Venecias, Maqedoni e të tjera vende. Për piktorin, artistët shqiptarë, të cilët ekspozojnë jashtë, janë të integruar më së miri kudo ku kanë shkuar. "Mendoj se ne jemi në të njëjtat nivele me artistët e huaj. Unë për vete, gjithnjë e kam prezantuar veten si shqiptar kudo ku kam shkuar. Kam prezantuar veten time, Shqipërinë e Kosovën", tregon jo pa krenari ai. Piktori Alban Meka ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Pas disa ekspozitave në Kosovë, në vitin 2004, ai ekspozon në Madrid e më vonë në Bienalen e Firences, në Itali. Vit pas viti, ai ka dëshmuar se është një artist, i cili pretendon të arrijë e të afirmohet në fushën që ka zgjedhur. Në këtë ekspozitë të përbashkët, artistët nga Kosova vijnë në Tiranë si për të festuar me art mundin e luftës së Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›