E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mevlan Shanaj: Kinemasë i ka rënë personaliteti

SHKRUAN: Ilda Lumani 09-02-2011 11:19

Mbrëmjen e së hënës e ka kaluar me miqtë e tij dhe një gotë verë. Sebep ishte ditëlindja e radhës, që për të është dita kur bën bilancin e suksesit ose jo, e realizimit të planeve e projekteve, ose jo, nga një vit në tjetrin… Nga ana tjetër, janë shumë urime dhe përshëndetje që e bëjnë atë, të ndihet i përkëdhelur. Nuk e tremb aspak ikja e viteve, edhe pse përkundër kësaj të vërtete të pohuar nga ai vetë, Mevlan Shanaj, regjisori i njohur e aktori i shumë filmave, pohon se po realizon një film që ka në qendër jetën e një çifti në moshën e tij, “që ka pritur çdo gjë në jetë, veç vdekjen jo”! Bashkëudhëtare në këtë projekt, ashtu si shpesh herë është bashkëshortja e tij, poetja dhe skenaristja e mirënjohur, Natasha Lako. “Mjeshtri i Madh”, Shanaj pohon ndërkaq se një dokumentar (që është edhe gjinia e tij e preferuar) është në duart e tij aktualisht, e që ka si fabul enigmën e një personazhi botëror. Ka qenë apo jo në Shqipëri Ajshtajni…?!

Zoti Shanaj, cila është ndjesia që përjetoni në ditën tuaj të lindjes?

Më tepër se vetë, janë miqtë dhe familja, ata që ma bëjnë ta përjetoj ditëlindjen. Unë vetë e quaj një ditë të zakonshme që kalon! Deri tani akoma nuk kam filluar të trishtohem, që ‘o bo bo më iku edhe një vit’. Përkundrazi! Mund të them se ‘dreqi e mori këtë vit, çfarë bëra’? Domethënë bëj një parashikim që të mos më iki viti kot, çfarë do të bëj diçka që do të mbetet dhe që do të më vërë përpara përgjegjësisë. Pra ditëlindja, po të mos kishte këtë lloj llogarie tek unë, as që do bëhesha merak fare. Edhe pse rrëkëllej ndonjë gotë verë me miqtë, dua s’dua përsëri e quaj një ditë të zakonshme, për të mos thënë që ndonjëherë e quaj edhe shumë të respektuar, nga urimet që marr dhe nga llogaria që i kërkoj vetes.

Dhe këtë vit, si ka rezultuar bilanci?

Do të kisha dëshirë të thosha që ajo është një gjysmë gote dhe do të themi në fund të këtij viti, që ishte plot gota ose jo. Unë vazhdoj të shoh akoma gjysmën e gotës. Sepse kam pasur punë mjaft. Mund të them se gati ka përfunduar filmi i tim biri, ku unë jam producent dhe kam një produksion tjetër dhe sigurisht puna me studentët. Sivjet janë 11 studentë që kalojnë filmin e diplomës, gjë që ka vlerë nga ana e brendshme, edhe pse nuk është e dukshme në inventarin e CV sime personale, por në angazhimin tim, në kënaqësitë e mia është diçka. Ndërkohë është një dokumentar që po zgjidhet me mua dhe me Natashën. Që na ka vënë përballë Ajshtajnin. Dhe ditë për ditë po zihem me Ashtajnin. Sa herë më del përpara, madje tani e kam vënë edhe si pamje të ekranit të kompjuterit, një fotografi të tij (jo ato që njeh gjithë publiku, por fotografinë e tij të moshuar). Dhe herë pas here, kur e hap kompjuterin them “hë mor ti, përsëri do të më rrish këtu përballë, do më dalësh diku, apo jo?” Është një ngacmim, ka qenë Ajshtajni në Shqipëri apo jo? Dhe mediatikisht është shkruar se ka qenë, por në hulumtimet e mia, dhe kryesisht të Natashës, kur kemi qenë gjatë verës 3 muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na rezultoi se nuk ka qenë. Edhe pse ka njerëz që e eksplorojnë këtë ide, që ka qenë madje edhe së fundmi edhe ambasadori izraelit, që ishte edhe në programin e (Arjan) Çanit tha “po ka qenë”, unë që e dëgjova thashë është folklorik ambasadori. Pra ky vit ka qenë në këto ngarkesa, por ndërkohë artileria më e rëndë është një skenar me të cilin po merrem dhe nuk di a do ta kap unë atë, apo do të më kapë ai mua.

Bëhet fjalë për një film artistik?

Po. Skenari është i përbashkët me Natashën. Të gjithë njerëzit kur kanë një pritje, pritja ju jep një ankth. Unë kam vendosur një çift në moshën time, që kam pritur shumë në jetë, por një gjë nuk e kam pritur ama, vdekjen. Në rastin konkret, pritja është një ankth që nuk ka rrugë, ka vetëm shqetësim. Dhe ky do të jetë filmi im i ardhshëm, nëse do të realizohet.

Në këtë film do të jeni vetë protagonist?

Si regjisor, unë vetes sime i kam dhënë vetëm një herë rol. Kam pasur frikë, kam qenë i ngarkuar dhe nuk i kam rënduar dy profesionet. Në rastin konkret nuk e di, mundet t’i jap një rol të vogël, jo rolin kryesor. Unë jam mësuar që të kem role kryesore pak tek të dytat, ku kam shkuar ndonjëherë për kompromis, por duke qenë se është regjisura që gjithmonë më ka udhëhequr dhe aktrimi është një dashuri së cilës nuk i kam kthyer krahët, si një e dashura ime e respektuar, por jam martuar me regjisurën.

Po përsa i përket filmit të djalit tuaj “Farmakon”, ku ju jeni producent, - në ç’fazë ndodhet tashmë?

Filmi “Farmakon” ka mbetur në fazën përfundimtare të postproduksionit, cili është duke u kërkuar, janë duke u kërkuar ato të shkretat para, nuk është pak, duhen të paktën 50 mijë euro dhe producenti në këtë rrugë është. Regjisori e ka përfunduar punën e tij. Unë e kam parë filmin të montuar dhe mendoj se do të jetë një film i mirë, një gjuhë tjetër nga ajo që jemi mësuar ne të flasim në ekranin tonë, të paktën kjo gjë do të jetë. Duke u nisur që cilësia më e mirë që unë i quaj vetes sime, si një njeri me 45 vite që merrem me këtë punë, di të them për talentin që o është, ose nuk është. Unë kam pretenduar që gjithmonë kam folur në gjuhën time, por në këtë gjykimin tim, ndoshta nuk ka arritur asnjëherë gjithë opinioni. Është ndjesi personale, megjithatë unë këtë ua them dhe studentëve, besoj se shijen e kam të mirë. Të paktën për shijen!

Përmendët më parë filmat/diplomë të studentëve. Duke ndjekur brezat e rinj dhe kinemanë sot, në krahasim me atë që keni bërë ju dhe kolegët tuaj, cilat janë sfidat, problemet, dhe pse kinemaja sot nuk ka të njëjtin shkëlqim si dikur?

Është një problem i hapur. Normalisht duhet pranuar që çka vjen më pas, duhet të jetë më profesionale dhe duke besuar tek kjo formulë, duhet të themi që studentët janë sot më të përgatitur nga ata që kanë qenë më parë, por kur vjen puna te krijimi atëherë mbetet për të diskutuar dhe konkretisht unë mund ta them këtë. Sot krijimi artistik, në përgjithësi në të gjitha fushat, i ka rënë personaliteti. Ky është problemi, shikoj sesi po paraqitet sot teatri, dikur teatrot e rretheve ishin kompetitiv dhe premtues kur vinin në Tiranë, ndërsa tani kalojnë si hije. E njëjta gjë ndodh edhe në artin tim të ekranit, pse jo edhe në fusha të tjera. Pra ka rënë personaliteti i krijimtarisë. Dhe kjo e bën mendimin tim në ekuivok në retrospektivë, unë nuk mund të jem ai që them që nuk ka krijim, përkundrazi ka krijim dhe disa herë edhe me pretendime, por mungon komunikimi dhe rrugët e mungesës së komunikimit kanë bërë që të krijohet një hije dyshimi, njerëzit janë më të distancuar, është një komunikim i vakët. Ka humbur prej shumë vitesh mënyra e frekuentimit të kinemasë. Në fakt kjo nuk është problem vetëm shqiptar, por i gjithë Europës në vende ku është elita e kinemasë, Francë, Itali e Gjermani, që kanë pasur që prej viteve ‘30 e deri sot emra te prodhimet kinematografike kombëtar, si edhe nordikët e mi të preferuar, problem është invazioni i kinemasë së Hollivudit, marketingu që i bëjnë ata na ka bërë që të jemi të gjithë në hije.

ǒndjeni kur shihni që jepen ende filmat e vjetër?

Unë nuk i shikoj vetë, por i mbroj dhe respektoj krijimet e asaj kohe. Përse? Pikërisht për autoritetin dhe jetëgjatësinë. Jam i befasuar kur njerëz të rinj, më komlimentojnë për shembull për

“I teti në bronx” apo “Rrugicat që kërkonin diell”. Dhe jam shumë i befasuar, bravo them, e ka mbërritur suksesin e vet, për regjisorin më shumë, por ndonjëherë them pse jo edhe për veten time. Që të jesh i shikueshëm dhe jo i bezdisshëm, edhe mbas 40 vjetësh, është fitore e madhe për një vepër arti.

Si regjisor, kë do të cilësonit si suksesin tuaj më të madh?

Si regjisor kam një jetë shumë të pasur, kam qenë me fat të mirë e të keq. Të mirë sepse kam punuar në televizion dhe ishte i vetmi ekran që ishte dominues në jetën e shqiptarëve, po aty duke qenë themelues dhe ndërtues, eksplorova në gjinitë e preferuara të publikut në atë kohë, por shumë të dëshiruara edhe për mua. Si regjisor, nuk ka mbetur gjë në ekran që nuk kam punuar, që nga një djalë i ri te lajmet, që nga një drejtues show spektakli, reportazhi, dokumentari (gjinia ime e preferuar që vazhdoj ta lëvroj dhe sot), drama, teatrot, pra një laidhje e vazhdueshme e gjatë, por që në gjithë këto përpjekje, ndjehem mirë, se kam iniciuar filmin artistik në televizion dhe arritëm të bënim një kinema vërtet serioze dhe kjo nuk është gjë e vogël. Administrata e atëhershme, edhe pse e akuzuar gjatë për dogmatizmin, doktrinën e vet të papranueshme, gjithsesi ne na e vuri veshin dhe na krijoi mundësi të bënim film. Unë ndihem mirë sot, që me gjithë këtë përvojë që kam bërë kinema dhe me filmat e parë si “Korrieri”, por kam bërë filma që vazhdojnë të jenë të mirë dhe jetëgjatë, si “Plumba perandori”. Apo si filmi provokativ “Fletë të bardha”, që ka hapur një debat për gjithë opinionin e asaj kohe, te gazeta e vetme e pushtetit që na atanemoi, kam qenë bashkë me Natashën, po sigurisht meritat më të mëdha aty i ka Natasha, si autore, sepse bërtet për një ndryshim të një sistemi. Kjo na solli deri në kërcënime për heqjen e të drejtës të krijimtarisë, por fatmirësisht i kishin rënë dhëmbët sistemit në atë kohë, se ishin vitet ’90. Së fundi mendoj se filmi “Lule të kuqe, lule të zeza” më bën të ndihem mirë se isha në kontakt me audiencën, duke i provokuar solla një mënyrë timen si bashkëkohore edhe provokuese. Te dokumentarët janë disa, që i kam për zemër është një që quhet “Rrugët”, kam bërë një për Vangjush Furxhiu dhe së fundmi kisha “Shkronjat e pavarësisë” për 100-vjetorin e Pavarësisë. Përmenda pak, pasi nuk mund të rendis shqetësimin, gëzimin, pagjumësinë, natën, dashurinë që më kanë dhënë krijimet e mia, të cilat në të shumtën e rasteve më kanë bërë të jem shumë i pasur shpirtërisht.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›