Është koha për avancimin e raporteve Kosovë-Japoni

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi ka falënderuar Gemban për përkrahjen që Japonia po i jep Kosovës në mënyrë të vazhdueshme.
“Japonia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është ndër shtetet që kanë ndihmuar më së shumti Republikën e Kosovës që nga përfundimi i luftës e deri më sot”, ka theksuar Thaçi, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.
Sipas saj, edhe në këtë takim, kryeministri ka vënë theksin në thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shkencës, arsimit dhe kulturës. Thaçi ka thënë se tani është momenti i duhur për avancimin e raporteve ndërshtetërore duke e përqendruar bashkëpunimin në aspektin ekonomik dhe atë tregtar.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm Gemba ka konfirmuar përkrahjen e Qeverisë japoneze duke shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën dhe vizionin e saj për anëtarësim në BE dhe në NATO.
“Japonia ndihet krenare që ka ndihmuar popullin e Kosovës dhe do të vazhdoj të bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen”, ka theksuar ministri Gemba.