E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Njohja e Kosovës, të ketë unitet brenda BE

BRUKSEL- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është takuar në mesditë me shefen e diplomacisë europiane Kethrin Ashton, ndërsa do të ketë edhe disa takime të tjera gjatë ditës së sotme. Pak më vonë ajo do të takohet me presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompui dhe pasdite me Jerzy Buzek, kreun e Parlamentit Europian, ku pritet të ketë edhe një deklaratë për mediat. Po gjatë pasdites, komisioni për marrëdhëniet me jashtë në Parlamentin Europian do të ketë një shkëmbim pikëpamjesh me Jahjagën, ku do të flitet edhe për trazirat e fundit në kufirin me Serbinë, ku do të jetë i pranishëm edhe delegacioni i PE-së për Evropën Juglindore.

Lidhur me këtë, kreu i këtij delegacioni Eduard Kukan dha sot një intervistë për EBS ku ka bërë thirrje për unitet brenda BE, lidhur me njohjen e Kosovës. “Në cdo rezolutë të Parlamentit Europian ne i bëjmë thirrje 5 vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin pavarësinë e saj, por këto janë vende të pavarura. Ndaj mendoj se BE duhet të bëjë më shumë në mënyrë që të unifikojë qendrimin e tij”- ka deklaruar Kukan, i cili ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes për vulat doganore mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi.

“Marrëveshja e arritur duhet të implementohet gradualisht dhe është shumë e rëndësishme që të gjenden masat për të ruajtur situatën të qetë. BE vazhdon të jetë shumë e shqetësuar për situatën që u krijua, e dimë që tani është më e qetë por kjo është vetëm sipërfaqja.”-ka deklaruar Kukan.

Sipas tij, provat e korrupsionit në Kosovë janë të dukshme ndaj nevojiten hapa konkrete për të zhdukur e luftuar këtë fenomen. “Ka ende disa cështje të pazgjidhura që errësojnë panoramën politike të Kosovës dhe nuk janë në interes të vendit”- ka thënë Kukan. Ai shtoi se Kosova ka vështirësi të mëdha për të qënë një vend i suksesshëm ekonomik. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që të vazhdojë dialogu serioz me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të ndiqen rekomandimet e tij. Mendoj se Kosova mund të bëhet më e pavarur nga pikëpamja ekonomike”- ka thënë kreu i delegacionit të PE për Evropën Juglindore.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›