Kukan e Svoboda: Jemi të habitur nga vendimi për Metën. Vrasjet e 21 janarit, të paimagjinueshme
Presidenti i ri i grupimit të majtë në Parlamentin Europian (Aleanca Progresiste e Social-Demokratëve Europianë), Hannes Svoboda, dhe kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, i djathti (PPE) Eduard Kukan, rrëfejnë habinë e tyre mbi vendimin e gjykatës për çështjen Meta.
Eduard Kukan, Kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin:
Mendoj se ministri danez shprehu ndjenjën e përgjithshme të shumë njerëzve që po e ndiqnin këtë rast nga shumë pranë dhe me shumë kujdes. Nuk mendoj se është e drejtë të komentoj me thellësi vendimet e gjykatave në Shqipëri, por do të them vetëm që korrupsioni është një problem shumë serioz në Shqipëri
unë e kam ndjekur këtë çështje dhe e di se pati disa ekspertë nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara, të cilët bënë analiza që nuk u morrën në konsideratë para vendimit përfundimtar. Pra kjo ishte ajo që kontribuoi në befasinë time”.
Hannes Svoboda, President i S&D:
Unë u befasova nga vendimi i cili tregoi se nuk u bë gjithçka për të parë nëse video-regjistrimi kishte apo jo manipulime. Mendoj se edhe në interesin e vetë zotitMeta, do të jetë shumë e rëndësishme që të ftohen ekspertë të pavarur nga jashtë, për të vërtetuar nëse ka apo jo manipulime. U befasova që një kërkesë e tillë u hodh poshtë por shpresoj që kjo gjë mund të korrigjohet sërish, pasi ne duhet ta mësojmë të vërtetën. Jo të vërtetën e njëanshme, por të vërtetën objektive.
Për ngjarjet tragjike të 21 janarit, njëzëri, euro-deputetët kërkojnë hetimin e plotë, të pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje politike, si dhe ndëshkimin e të gjithë autorëve. Por përveç kësaj, të pyetur se çdo të kishte ndodhur në vendet e tyre në një rast të ngjashëm, Kukan dhe Svoboda përgjigjen:
Eduard Kukan:
Një situatë e tillë është krejtësisht jashtë çdo lloj imagjinate. Nuk mund të ndodhë në vendin tim. Ka pasur demonstrata madje ka akoma demonstrata masive njerëzish, por policia po luan rolin në përputhje me ligjin.
Hannes Svoboda:
Mendoj se çdo vrasje do të hetohej dhe do të sillej para trupit gjykues. Unë nuk mendoj se sistemi i drejtësisë në Austri dhe në vende të tjera është perfekt, por kur ka vrasje, kur vriten demonstrues, është më e pakta që ngjarje të tilla të vihen para gjykatësve dhe të gjykohen nga një drejtësi e pavarur. Ndërsa politikanët, apo sistemi politik, është aty për të garantuar se drejtësia do të vihet në vend.
Të pyetur mbi zhvillimet kryesore në vend, megjithë marrëveshjet mazhorancë-opozitë, përfaqësuesit e dy grupimeve kryesore të Parlamentit Europian kërkojnë rezultate konkrete, pasi vlerësojnë një ecuri të ngadaltë të Shqipërisë drejt BE-së. Kukan dhe Svoboda kritikojnë presionet ndaj institucioneve të pavarura dhe ndaj pavarësisë së medias, si dhe shprehin qëndrimet e tyre respektive për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Përgatiti Arta Tozaj, TCH