E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukeli e Meha, hyrjet e reja në kombëtare

Trajneri De Biazi shpall listën për ndeshjet me Qipron e Zvicrën, bëhet realitet ardhja e dy kosovarëve

Burim Kukeli dhe Alban Meha do të jenë fytyrat e reja të Shqipërisë në startin e fushatës kualifikuese për Botërorin Brazil 2014. Trajneri Xhani de Biazi më në fund e ka bërë zyrtare veshjen e tyre me ngjyrat kuqezi, teksa ka vendosur ti thërrasë në skuadër për ndeshjet kundër Qipros e Zvicrës, përkatësisht më 7 dhe 11 shtator. Italiani ka nxjerrë dje listën me emrat e lojtarëve, me të cilët do të synojë tu bëjë një nisje të mbarë eliminatoreve. Ndër 24 të besuarit e De Biazit, janë 18 lojtarë që vijnë nga skuadra të huaja dhe gjashtë nga kampionati shqiptar, ku pjesën e luanit e ka Skënderbeu. Kuqezinjtë do të grumbullohen nesër në orën 12:30 në kompleksin Tropikal në Durrës, në fushën e të cilit do të zhvillojnë edhe stërvitjen e parë, pasdite vonë.

Debutuesit – Alban Meha, i lindur më 26 prill 1986 në Mitrovicë, luan në ligën e dytë gjermane, me Paderbornin. Mesfushori kosovar cilësohet si shumë i rëndësishëm për skuadrën gjermane, me të cilën luan që nga viti 2011. Në sezonin aktual, ka luajtur në tri ndeshje të kampionatit, duke shënuar dy gola. Po ashtu, ka shënuar edhe një tjetër gol në Kupën e Gjermanisë, në ndeshjen e humbur me Arminia Bilefeld. 28-vjeçari Kukeli, lindur më 16 janar 1984 në Gjakovë, luan gjithashtu në mesfushë. Në merkaton e kësaj vere ai u transferua te Zyrihu nga Lucerna, ku ka luajtur me Jahmir Hykën. Mesfushori ka luajtur pesë ndeshje në kampionat, por ende nuk ka shënuar për Zyrihun. Në rast se të dy luajnë në dy takimet e ardhshme, numri i debutuesve në drejtimin e italianit shkon në nëntë, pasi deri tani ai ka veshur shtatë lojtarë me fanellën kuqezi.

Mungesat – Dëmtimi e ka lënë jashtë skuadrës Elis Bakajn, por ndërkohë trajneri italian ka bërë edhe ndryshime të tjera në listë, krahasuar me ndeshjen e fundit, miqësoren kundër Moldavisë. Nuk janë thirrur më Dushku, Memushaj, Zeqiri e Vucaj, ndërsa portieri Orges Shehi është emri tjetër i ri për këtë ndeshje, bashkë me Kukelin e Mehën. Ashtu si në ndeshjen me Moldavinë, i gatshëm do të jetë Hamdi Salihi, ndërsa vazhdon të mbetet jashtë Gjergji Muzaka, tashmë lojtar i Flamurtarit. Italiani ka thirrur pesë sulmues për dy ndeshjet e botërorit, megjithatë midis tyre nuk figuron Bekim Balaj, i transferuar gjatë verës te Sparta e Pragës.

Dritan Ikonomi

Skeda personale

Burim Kukeli

Ditëlindja: 16 janar 1984

Vendlindja: Gjakovë

Skuadra: Zyrih

Roli: Mesfushor

Shtatlartësia: 180 cm

Pesha: 72 kg

Këmba e preferuar: E majta

Alban Meha

Ditëlindja: 26 prill 1986

Vendlindja: Mitrovicë

Skuadra: Paderborn

Roli: Mesfushor

Shtatlartësia: 173 cm

Pesha: 74 kg

Këmba e preferuar: Të dyja

Nënshtetësia

Kukeli e Meha kanë aplikuar të dy për nënshtetësinë shqiptare, çka do tu mundësonte të vishnin fanellën kuqezi. Megjithatë, në sitin zyrtar të Presidentit të Republikës, ku publikohen të gjitha dekretet e firmosur nga kryetari i shtetit, nuk figuron ende asnjë vendim për dhënien e nënshtetësisë për dy lojtarët nga Kosova. Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për një formalitet nga ana e presidentit Nishani, pasi lojtarëve kosovarë nuk u janë nxjerrë asnjëherë pengesa në raste të ngjashme në të kaluarën.

17

De Biazi ka thirrur 17 lojtarë që luajnë në ligat e para e të dyta të dhjetë vendeve të tjera.

6

Lojtarë janë thirrur nga kampionati shqiptar. Skënderbeu është skuadra më e përfaqësuar, me tre, ndërsa Flamurtari, Tirana e Vllaznia kanë nga një lojtar.

Kolona e pestë

Tre lojtarë dinë

gjithçka për Zvicrën

Asnjë lojtar kuqezi nuk luan në Qipro, kundërshtari i parë i Shqipërisë në Grupin E të kualifikueseve evropiane për Brazil 2014. Ndryshe paraqitet situata për ndeshjen e dytë, me Zvicrën. Tre nga lojtarët De Biazit aktivizohen pikërisht në futbollin helvet. Jahmir Hyka luan me Lucernën, skuadra e qytetit ku do të zhvillohet ndeshja, ku më parë ka pasur shok skuadre edhe Kukelin, tani te Zyrihu. Armando Sadiku është i treti, por ky i fundit luan në ligën inferiore, me Luganon.

Lojtarët e thirrur nga Xhani de Biazi

Samir Ujkani    05.07.1988 Palermo

Etrit Berisha   10.03.1989 Kalmar

Orges Shehi     20.09.1977 Skënderbeu

Lorik Cana      27.07.1983 Lazio

Armend Dallku   16.06.1983 Vorskla

Tefik Osmani    25.02.1985 Vllaznia

Andi Lila       12.02.1986 Janina

Mergim Mavraj   09.06.1986 Greuther Furth

Renato Arapi    28.08.1986 Skënderbeu

Sabien Lilaj    10.02.1989 Skënderbeu

Franc Veliu     11.11.1988 Flamurtari

Jahmir Hyka     08.03.1988 Luzern

Emiljano Vila   12.03.1988 Janina

Burim Kukeli    16.01.1984 Zurich

Ansi Agolli     11.10.1982 Qaraback

Alban Meha      26.04.1986 Paderborn

Gilman Lika     13.01.1987 Tirana

Ervin Bulku     03.03.1981 Sepahan

Armando Sadiku  27.05.1991 Lugano

Odise Roshi     22.05.1991 FSV Frankfurt

Hamdi Salihi    19.01.1984 DC United

Edgar Çani      22.07.1989 Polonia

Erjon Bodgani   14.04.1977 Siena

Ahmed Januzi    08.07.1988 Vorskla

Ndeshjet e Shqipërisë në Grupin E

07.09.2012 Shqipëri-Qipro

11.09.2012 Zvicër-Shqipëri

12.10.2012 Shqipëri-Islandë

16.10.2012 Shqipëri-Slloveni

22.03.2013 Norvegji-Shqipëri

07.06.2013 Shqipëri-Norvegji

06.09.2013 Slloveni-Shqipëri

10.09.2013 Islandë-Shqipëri

11.10.2013 Shqipëri-Zvicër

15.10.2013 Qipro-Shqipëri

Zyrtarja e parë e De Biazit

Italiani e ka drejtuar Shqipërinë në katër miqësore, tani luhet seriozisht

Pikët janë ato që do të kenë vlerë në ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë nën drejtimin e Xhani de Biazit. Italiani e ka drejtuar skuadrën kuqezi në katër takime deri tani, që të gjitha miqësore. Në premierën e tij, trajneri që pasoi kroatin Kuzhe u mund 2-1 nga Gjeorgjia, por më pasi arriti dy fitore radhazi, kundër Katarit në Spanjë dhe Iranit në Stamboll, përkatësisht 2-1 dhe 1-0. Takimi i fundit ishte i pari që Shqipëria luante në Qemal Stafa nën drejtimin e trajnerit italian, por paraqitja ishte edhe më zhgënjyese se barazimi steril me Moldavinë. Pas takimit, trajneri i shpreh se e njeh mirë gjendjen dhe premtoi një fytyrë tjetër përballë Qipros. Megjithatë, më shumë skuadrës i interesojnë pikët, pavarësisht paraqitjes.

Shqipëria nën drejtimin e De Biazit

29.02.12   Gjeorgji-Shqipëri    2-1

22.05.12   Shqipëri-Katar       2-1

27.05.12   Shqipëri-Iran        1-0

15.08.12   Shqipëri-Moldavi           0-0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›