E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës Morinë, banorët bllojnë rrugën

SHPRONËSIMET/ Banorë të fshatit Morinë kërkojnë që të përfundohet shpronësimi dhe kërcënojnë me protestë

KUKËS - Banorë të fshatit Morinë bllokuan për një kohë të shkurtër aksin Kukës-Morinë, në afërsi të fshatit, ndërkohë që policia ndërhyri për të zhbllokuar rrugën. Burime të uniformave blu bënë të ditur se bllokimi i rrugës u bë si një paralajmërim për mungesën e shpronësimeve. Blutë thanë se pas marrëveshjes me banorët, ata ishin larguar dhe qarkullimi i automjeteve kishte vijuar normalisht. Ndërkohë, banorët e fshatit Morinë u shprehën se, nëse brenda pesë ditësh nuk do të marrin përgjigje për mungesën e shpronësimeve, do ta bllokojnë rrugën sërish. Sipas tyre, traseja po kalon buzë banesave, duke u bërë një rrezik për ta. Në fakt, në ligj thuhet se autostrada nuk duhet të jetë më afër se 25 metra nga banesat, por ky ligj duket se është shkelur, duke bërë që rruga të jetë më afër shtëpive, ndërsa banorët thonë se për këtë nuk janë dëmshpërblyer. “Jemi gjashtë familje të fshatit Pobreg që nuk na janë shpronësuar rreth 1,3 ha tokë, ku në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve na kanë thenë që ka zhvendosje të hartave digitale, ku ne për këtë sasi toke kemi certifikatat e pronësisë”,- shprehet protestuesi Halil Dida. Ndërkohë që burime nga prefektura e Kukësit thonë se javën tjetër një ekip nga sektori i shpronësimeve do të marrë në shqyrtim të gjithë ankesat e banorëve përgjatë rrugës Myç-Mamëz-Kukës-Morinë.

Largësia e rrugës

Përfaqësues të kompanisë mbikëqyrëse “Tecnic Sintagma &SËS” bënë të ditur se janë një numër shtëpish që janë të vendosura buzë trasesë së autostradës dhe ato nuk përfshihen në listat e shpronësimeve. Në bazë të ligjit për “Urbanistikën”, nuk lejohet që të ndërtohen shtëpi të reja më afër se 25 metra distancë nga traseja e autostradës, ndërkohë që për pikat e karburanteve distanca e lejuar është 10 metra. Por ligjinuk jep sqarime për ato raste kur ndërtohen autostradat e reja. Sipas specialistëve, edhe në këto raste duhet të përdoren të njëjtat distanca.

Shpronësimet

Shteti ka akorduar rreth 3,75 milionë euro për kompensimin e pronarëve të tokave për rreth 75 ha tokë bujqësore, 17 shtëpive të banimit, 1 pike të karburantit, si dhe varrezave të fshatit Morinë. Vlera prej 3,75 milionë eurosh është vetëm për shpronësimet e 25 kilometrave rrugë nga pikë-kalimi kufitar të Morinës deri në kilometrin e tretë, në dalje të qytetit të Kukësit. Specialistët e kanë përcaktuar tokën ku do të kalojë autostrada si tokë të kategorisë së gjashtë apo të shtatë. Çmimi për këtë kategori të tokës është 5 euro/metër katror për tokën bujqësore, ndërsa për tokën truall është përcaktuar çmimi 10 euro/metër katror. Sipas kryeregjistruesit Ali Tota shumë pretendentë për pronarë nuk kanë paraqitur dokumantacionin e plotë, pasi tokat e tyre i kanë çregjistruar për të marrë përkrahje sociale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›