Bulqizë, vdes minatori i 14-të, asnjë fajtor
BULQIZË – Ndodh aksidenti i radhës në minierën e Bulqizës, ndërsa numrit të viktimave i shtohet edhe një. Izvi Veseli, 47 vjeç, baba i dy fëmijëve humbi jetën ndërsa po punonte me martel në përparimin e një fronti në minierën e kromit në Bulqizë, në nivelin 16. Pikërisht në galeritë e këtij niveli vdekjet përsëriten. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:30 teksa minatori 47-vjeçar po përgatiste frontin e punës për plasjen e minave. Sipas dëshmive të marra nga minatorët, Ivzi Veseli po punonte në front kur, me sa duket, koka e barominës së martelit ka hasur në një minë të paplasur në turnin tjetër, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bëhet e ditur se një zjarrmëtar i cili dëgjoi shpërthimin lajmëroi edhe minatorët e tjerë për aksidentin.
Minatorët që shkuan në vendgjarje e gjetën të pajetë shokun e tyre në ballin e minierës, pikërisht për shkak të shpërthimit të një mine. Të dhënat e para nga drejtuesit e minierës se minatori ishte duke ndezur minat rezulton të jetë i pavërtetë, sipas minatorëvetë tjerë, të cilët pohojnë se 47-vjeçari po punonte me martel. Si rrjedhojë, ata fajësojnë sigurimin teknik, që nuk ushtron kontrolle të vazhdueshme në frontet e punës. Minatorët u shprehën se plasjet e minave kryhen me aparatura elektrike dhe minat nuk numërohen, ndaj mund të ngjasë që jo të gjitha të kenë plasur dhe për këto të mos ketë informacion. Pikërisht një prej këtyre minave të paplasura ka rezultuar fatale për Veselin.
Viktima u mor nga minatorët dhe u dërgua në spitalin e Bulqizës, ndërkohë që ata vetë u shprehën të acaruar, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes trupi i 47-vjeçarit nuk mund të tërhiqej. Shkak për vonesat në spital është bërë mungesa e ujit në morg. Bëhet e ditur se Izvi Veseli ishte nga Maqellara e Peshkopisë dhe banonte me gruan dhe dy fëmijët në lagjen “Qyteti i Ri”, në Bulqizë. Ai është minatori i 14-të që humb jetën në aksidentet e nëntokës së Bulqizës. Nga ky bilanc, dy vetë kanë ndërruar jetë në stogun e minierës dhe dy të tjerë në zonat krommbajtëse të Martaneshit. Thuajse për të gjitha vdekjet e ndodhura minatorët kanë fajësuar në protestat e tyre drejtuesit e minierës për kushtet jo të mira të punës dhe mungesën e sigurimit teknik në frontet e punës.