Kriza financiare sjell rritje të kriminalitetit
TIRANE - Në konferencën e djeshme të OSBE-së, në forumin e 17 për Ekonominë dhe Mjedisin, janë diskutuar edhe pasojat që sjell kriza ekonomike. Sipas ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, kriza globale, e cila tashmë ka filluar të prekë edhe Shqipërinë, veç pasojave ekonomike mund të ketë edhe disa rreziqe të tjera, që kanë të bëjnë me sigurinë publike. "Efektet e kësaj krize botërore për shumë vende me të ardhura të ulëta, si Shqipëria, tashmë kanë filluar të ndjehen pak nga pak. Sipas të dhënave del se në vitin 2008 dërgesat e emigrantëve shqiptarë ishin 700 milionë euro, një burim mjaft i rëndësishëm për vendin. Por për shkak të krizës, tendenca e tyre është në rënie. Për më tepër ne të gjithë e dimë se në kohë krizash ka një rrezik më të lartë për rritjen e krimit dhe trafiqeve, çka mund të sjellin edhe përkeqësimin e sigurisë", u shpreh ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Ndërkohë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke iu drejtuar përfaqësuesve të rreth 50 shteteve pjesëmarrëse në forumin e 17-të të OSBE-së, është shprehur se kriza financiare me të cilën po përballemi krijon një kontekst, në të cilin mirëqenia afatgjatë nuk mund të konsiderohet më si e mirëqenë.