E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, i riu kapet me doza heroine e pistoletë

 

TIRANE- Një 35-vjeçar ka përfunduar në pranga mëngjesin e djeshëm në kryeqytet, pasi është kapur me lëndë narkotike të dyshuar si heroinë. Arrestimi i Viktor Spatës është kryer në afërsi të rrugës së Elbasanit në Tiranë, ku gjatë një kontrolli të ushtruar në makinën me të cilën ai po udhëtonte i është zbuluar një sasi prej rreth 120 gramë heroinë, e ndarë në pako të vogla gati për shitje. Burime nga policia bënë të ditur se fillimisht Spata është ndaluar gjatë një kontrolli të Policisë Rrugore, të cilët më pas kanë lajmëruar oficerët e Antidrogës së Tiranës. Përveç lëndës narkotike, e cila dyshohet se po transportohej nga Tirana në drejtim të Elbasanit, 35-vjeçarit iu gjet e fshehur në automjetin e tij edhe një pistoletë tip "TT", e cila rezultoi që mbahej pa leje nga i arrestuari. Ndërkohë të njëjtat burime bënë të ditur se i arrestuari nuk e ka pranuar që lënda narkotike ishte e tij, duke thënë që dikush mund t'ia kishte futur në makinë pa dijeninë e tij, ndërsa për armën e ka pranuar që e mbante pa leje. Policia po heton në lidhje me personat e tjerë që mund të kenë qenë duke pritur lëndën narkotike që po transportonte Spata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›