E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës. Refuzuan ushtrinë, 20 të rinj në burg, 151 të proceduar penalisht

19/10/2004  KUKËS - Fenomeni i shmangies së kryerjes së shërbimit ushtarak është një shqetësim, jo vetëm i strukturave ushtarake, por më gjerë.

“Fenomeni po merr përmasa gjithnjë e më të gjera, aq sa tani në fazën e dytë të mobilizimit janë paraqitur vetëm 20 të rinj, shumë më pak sa ishte planifikimi”, thanë burime të degës ushtarake rajonale të qarkut të Kukësit.

Përpjekjet në rritje të të rinjve për t’iu shmangur kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, ka bërë që vetëm gjatë këtij viti 151 të rinj të ndiqen penalisht me akuzën e shmangies nga kryerja e shërbimit të detyruar ushtarak.

“Për 20 të rinj, tashmë është marrë masa e vuajtjes me burg nga gjykatat, ndërsa pritet që së shpejti një masë e tillë të merret nga organet e drejtësisë edhe për të tjerët, që i janë shmangur kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak”, thanë të njëjtat burime.

Shkaqet që kanë rritur numrin e të rinjve që i shmangen shërbimit të detyruar ushtarak, janë kryesisht subjektive. Kryesorja është vetë familja, që në kushtet e gjendjes së rëndë ekonomike të kësaj zone preferon më mirë punësimin e të riut se sa kryerjen e këtij detyrimi ligjor. Këtë e tregon edhe fakti së në këtë qark nuk ka asnjë rast të shlyerjes së shërbimit të detyruar ushtarak kundrejt pagesës, siç e parashikon ligji.

Ndërkohë, në këtë drejtim ka ndikuar edhe indiferenca e pushtetit vendor, i cili ka detyra të veçanta sipas ligjit, që jo vetëm të lajmërojë të riun, por ta ndjekë deri në paraqitjen e tij në repart.

“Pushteti vendor, siç e tregojnë faktet, këtë detyrë të tij e ka vënë prapa listës, bile në ndonjë rast janë vetë ata që konfirmojnë se i riu është në emigracion, kur ai ndodhet brenda territorit të vendit”, shprehen specialistët e degës ushtarake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›