Mbyllen shkarkimet në Fierzë dhe Koman, Shkodra mbetet e përmbytur

Uji tërhiqet nga lagjet periferike të Shkodrës, ndërsa mbeten të përmbytura më shumë se 9340 ha tokë. Prej dy ditësh kanë ndaluar reshjet të shiut, pas një periudhe dyjavore me reshje të dendura
Pas dy javësh shkarkime dhe përmbytje, të cilat përfshinë një sipërfaqe deri në 11 mijë hektarë gjatë kësaj periudhe, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë të ditur dje, se ka mbyllur portat e shkarkimit në Fierzë dhe në Koman, duke lënë vetëm një portë shkarkimi në Vaun e Dejës. “Duke filluar nga ora 12:00 e ditës së djeshme, do të ndalen shkarkimet e ujit nga tuneli nr. 4 i hidrocentralit të Fierzës dhe nga tunelet e hidrocentralit të Komanit. Shkarkime do të ketë vetëm në hidrocentralin e Vaut të Dejës, në masën 200m3/sek nga portat. Kjo do të bëhet, sepse niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës arriti në kuotën 290 m, kuotë e përcaktuar si normale për këto prurje, për këtë periudhë në rregulloren e trajtimit të plotave në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Prurjet aktuale në hidrocentralin e Fierzës, të rendit 400-450 m3/sek, do të përpunohen nga turbinat e këtij hidrocentrali. Edhe prurjet që do të lëshohen nga turbinat e hidrocentralit të Fierzës kemi mundësi t’i përpunojmë nga turbinat e hidrocentralit të Komanit, niveli i ujit të të cilit është në kuotën 170,89 metra. Hidrocentrali i Vaut të Dejës nuk ka mundësi të përpunojë të gjitha prurjet që i vijnë nga hidrocentrali i Komanit dhe ato anësore, për këtë arsye në këtë hidrocentral do të punohet, duke alternuar shkarkimet nga turbinat me shkarkimet nga portat, në vartësi të ngarkesës në sistem dhe të kushteve të tjera. Kuota aktuale në këtë hidrocentral është rreth 74.65 metra”, - sqaron Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
***
Në liqenin e hidrocentralit të Fierzës, niveli i ujit i ka rënë edhe me 10 centimetra të tjera gjatë natës, duke shënuar 290,02 metra. Prurjet në këtë liqen janë 450 metra kub në sekondë, ndërsa vazhdon të shkarkohet 600 metra kub ujë në sekondë. E njëjtë paraqitet situata edhe në liqenin e Komanit, ku niveli i ujit ka zbritur në 170,95 metra. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Brendshme, në këtë liqen prurjet arrijnë në 150 metra kub në sekondë dhe shkarkohet 860 metër kub ujë. Edhe në liqenin e Vaut të Dejës situata paraqitet jashtë rrezikut. Në këtë liqen, edhe pse niveli i ujit është rritur me 1 centimetër, ai është poshtë nivelit maksimal të lejuar prej 76 metrash. Matjet më të fundit tregojnë se uji ka arritur në kuotën prej 74,57 metrash, me prurje rreth 100 metër kub në sekondë dhe derdhje 800 metër kub ujë në sekondë. Nga këto tre hidrocentrale aktualisht prodhohet 1 380 kilovat/orë energji.
Digat në lumin Drin, projekt 200 milionë euro për rehabilitimin e tyre
Pas problemeve të fundit që sollën reshjet e mëdha, duket se HEC dhe veçanërisht digat në kaskadën e Drinit do të përfshihen në një projekt që financohet nga qeveria zvicerane. Në këtë projekt do të përfshihen edhe digat mbi kaskadën e lumit Mat. Nga ana tjetër, edhe Banka Botërore do të ndihmojë në një projekt të rëndësishëm për sigurimin e digave të hidrocentraleve. Zëvendëspresidenti i kësaj banke për Europën dhe Azinë Qendrore, në vizitën e tij të parë në Shqipëri për të parë ecurinë e projekteve që Banka Botërore ka mbështetur, deklaroi se do të ndihmonte në tejkalimin e situatës së përmbytjeve në veri të vendit, që ai vetë e ka quajtur pasojë të ndryshimeve klimaterike. “Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se sa të brishtë jemi ndaj ndryshimeve klimaterike. Më lejoni t’iu shpreh solidaritetin familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të vendit dhe t’u ofrojmë mbështetjen tonë njerëzore të prekurve nga kjo fatkeqësi. Banka po mbështet qeverinë me disa ekspertë që po ndihmojnë KESH-in për të monitoruar funksionimin e digave. Siguroj se Banka Botërore do të asistojë për të Shkodrën dhe zonën përreth nga ngjarjet që e kanë prekur ditët e fundit. Ambicia jonë është që edhe ne të jemi partnerë të vazhdueshëm për Shqipërinë”, theksoi zëvendëspresidenti i BB-së. Duke folur për një ndër projektet më të debatuara, atë të zhvillimit të zonave bregdetare dhe konkretisht për prishjet në Jalë, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore përjashtoi ekzistencën e korrupsionit brenda qeverisë dhe pranoi se gabimi ka qenë i Bankës Botërore për rastin konkret. Kryeministri Berisha renditi disa prej projekteve ku Banka Botërore do të asistojë, për t’i mbështetur dhe ndër më kryesorët mbetet ajo për forcimin e digave të hidrocentraleve. “Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë, sikundër na ka ndihmuar deri sot, në një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë, në një superfuqi të vogël të prodhimit të energjisë së pastër në rajon”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha analizoi sesi Banka Botërore e ka ndihmuar Shqipërinë me mbështetjen që i ka bërë projekteve që nga viti 1991, me vlerë 1 milion dollarë. Banka Botërore, sipas kryeministrit, do të ndihmojë Shqipërinë në mbështetjen që do t’u bëjë projekteve për bujqësinë, shëndetësinë, arsimin dhe energjetikën. Zëvendëspresidenti i BB-së deklaroi se pas inspektimit të bërë gjatë qëndrimit në vendin tonë, kishte arritur në konkluzionin se Shqipëria ishte një histori suksesi për bankën. Ai garantoi se Banka Botërore do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në projekte të rëndësishme, për ta bërë atë një partner të qëndrueshëm.
Prifti: Nuk kemi blerë energji nga Kosova
Gjatë një takimi që ka pasur me ministren kosovare, Justina Pula, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka deklaruar se KESH-i nuk ka marrë energji nga Kosova gjatë muajit dhjetor. “Unë mund të konfirmoj, madje edhe gjatë takimit me ministren kosovare e kam konfirmuar, që ne gjatë dy muajve të fundit i kemi dhënë energji Kosovës. Deklaratat për import energjie janë të pavërteta. Ne i kemi dhënë me një intensitet shumë të lartë Kosovës energji dhe sipas marrëveshjes që kemi, ne e marrim këtë energji gjatë periudhës së verës. KESH-i ka një marrëveshje ekzistuese me OSSH-në, sipas së cilës korporata e furnizon kompaninë e privatizuar deri në masën 70 për qind të energjisë që ajo konsumon sot dhe pjesën tjetër OSSH-ja me marrëveshje ka të drejtë ta importojë, por ka të drejtë ta marrë edhe nga KESH-i. Kjo bëhet nëpërmjet tenderëve dhe unë kam udhëzuar KESH-in që në tenderin e ardhshëm të OSSH-së të marrë pjesë dhe të ofrojë më shumë se sa 70 për qind të energjisë që ka me marrëveshje. Pra, të ketë mundësi që edhe pjesën tjetër të energjisë t’ia japë OSSH-së. Në fakt, në modelin e tregut ka një pengesë për KESH-in, gjykojnë ata një pengesë ligjore dhe në ministri gjatë ditëve të fundit është depozituar një kërkesë nga KESH-i për të bërë një ndryshim nëpërmjet vendimeve të qeverisë dhe për ta autorizuar OSSH-në të ndërmarrë disa veprime, që në modelin e tregut nuk janë shumë të qarta sipas ligjeve ekzistuese. Ne besoj se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do t’ia japim dhe këto sqarime dhe këtë mundësi KESH-it, që të mund të furnizojë OSSH-në më shumë se 70 për qind”, tha Prifti. Por Korporata Elektroenergjetike Kosovare ka bërë të ditur gjatë një deklarate për shtyp, se ka importuar energji gjatë vitit 2009 nga Shqipëria në muajt nëntor dhe dhjetor. KEK-u bën të ditur se gjatë gjithë muajit nëntor dhe atij dhjetor janë eksportuar energji në Shqipëri, por në sasi jo të mëdha. “KEK sh.a.” njofton që nuk ka shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përveç kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Për informimin e drejtë të publikut, KEK-u njofton që bëhet fjalë për një sasi të energjisë fare të vogël, e cila është e barabartë gjatë tërë nëntorit dhe dhjetorit me energjinë elektrike që KEK-u ka marrë nga KESH-i vetëm gjatë dy ditëve në fund të dhjetorit dhe gjatë janarit”.